I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një përgjigjie për gazetarin Adriatik Kelmendi, ka inkurajuar që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.
Ai ka thënë se kjo është e vetmja mundësi për normalizimin e raporteve mes të të dyja shteteve pas tensioneve të krijuara.
‘’Kosova është sovrane dhe e pavarur. E ardhmja e Kosovës është evropiane, dhe qëllimi i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve, andaj i inkurajoj të dyja shtetet për dialogun,’’ tha Escobar në një video-konferencë. ‘’Kjo është arsyeja pse dialogu është kaq i rëndësishëm dhe jo vetëm për këto dyja vendet” .
Por, ai paralajmëroi se tema e radhës në takimin e 18 gushtit, midis kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të jetë çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo, derisa konfirmoi se SHBA nuk pranon struktura që sfidojnë shtetësinë e Kosovës.
“Ne kemi qenë të qartë se palët kanë rënë dakord më herët për Asociacionin, kështu që duhet të diskutohet. Mirëpo, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, të mos jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, të mos krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe të mos jetë shtet në shtet,” tha Escobar. /klankosova.tv/
