Kompanitë Rajonale të Mbeturinave, “Ekoregjioni” në Prizren dhe “Higjiena” në Deçan, ia kanë dhuruar nga një kamion Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë për t’i dalë në ndihmë me grumbullimin e mbeturinave.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë të Asociacionit të Kompanive Publike për Menaxhim Mbeturinash (PAMKOS), të premten është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes “Ekoregjionit” dhe “Pastrimit” për shfrytëzim të përkohshëm të një kamioni.
Në njoftim theksohet se bashkëpunimi vjen pasi dy komunat i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së “Pastrimit” për ndihmë. Para dy ditësh, sipas njoftimit, “Higjiena” ia kishte dhuruar përkohësisht një kamion Prishtinës.
Sipas PAMKOS-it, gjendja operuese e “Pastrimi” aktualisht është e rënduar, duke pasur parasysh flotën e amortizuar dhe mungesën e kapaciteteve të plota për ofrimin e shërbimeve për grumbullimin e mbeturinave.
“Duke parë këtë gjendje, me qëllim të bashkëpunimit të mirë mes kompanive anëtare të PAMKOS, është shprehur gatishmëria dhe vullneti i kompanive për menaxhim të mbeturinave që të ndihmojnë KRM ‘Pastrimi’, për të kaluar situatën dhe sfidat në ofrimin e shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave në qytetin e Prishtinës!”, thuhet në njoftim të PAMKOS-it.
Qytetarët e Prishtinës janë përballur me mbeturina gjithandej javëve të fundit për shkak të telasheve të “Pastrimit”, që për shkak të borxheve nuk mund t’i dorëzonte mbeturinat në deponi. Aktualisht “Pastrimi” është me ushtrues detyre të kryeshefit pasi Bordi e shkarkoi Burim Kelmendin pasi konstatoi se “nuk janë realizuar objektivat për rritje të kapitalit” dhe për “keqmenaxhim”. /koha.net/