Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka akuzuar Qeverinë se është futur në gjumë të thellë ndërkohë që rastet e fatalitetet me COVID-19 vazhdojnë të rriten.
Zemaj përmes një statusi në Facebook të shtunën, ka shkruar se “demagogjia dhe shantazhi dëmtojnë të arriturat në menaxhimin e shëndetësisë dhe situatës pandemike”.
“Menaxhimi i sektorit të shëndetësisë do qasje proaktive dhe nuk mund të ketë sukses nga kolltukët, nga sheshet publike e as nga aeroplani. Respekt për profesionistët shëndetësorë të cilët përkundër gjendjes dhe injorimit nga MSH dhe Qeveria e mashtrimit ofrojnë përkujdesje të shkëlqyer shëndetësore”, ka shkruar ish-ministri i Shëndetësisë.
Rastet me COVID-19 kanë pësuar rritje javëve të fundit. Të shtunën, katër persona humbën betejën me virusin, ndërsa u regjistruan edhe 1.401 raste të reja.
MSH-ja vazhdimisht po bën apel për bartje të maskave dhe për vaksinim. Ndërsa nuk kanë folur për shtrëngim të masave.