Për tre muaj është shtyrë afati i miratimit i Ligjit për Shëndetësinë në Qeveri.
Përderisa afati i paraparë me agjendën legjislative deri sot ishte 30 shtatori, me vendimin e së mërkurës Qeveria e ka shtyrë deri më 26 dhjetor miratimin e këtij ligji.
Ligji kryesor që e rregullon shëndetësinë është në amendamentim. Tashmë ekziston një draft me ndryshime në Ligjin për Shëndetësi, e dallimet nga ligji aktual janë shumë të mëdha.
Në dokumentin, të cilin e posedon KOHA, ndryshimet e ndërhyrjet e fundit në këtë draft janë bërë në qershor.
Nëse krahasohet neni 4 i ligjit aktual dhe ai i draftit, që është pjesë e diskutimit të grupit punues, mes tyre ka dallime esenciale. Në draft thuhet që qytetarët obligohen ta ruajnë, por edhe ta promovojnë shëndetin e tyre.
Një nga ndryshimet me të mëdha që synohet të bëhet nëpërmjet këtij ligji është kufizimi i punës së mjekëve në të dy sektorët.
Një gjë e tillë përcaktohet në nenin 15. Nëpërmjet një formulimi të çuditshëm, në paragrafin e parë shkruhet se çdo profesionist shëndetësor i papunë ka të drejtë të punësohet. E, dy paragrafët e tjerë bëjnë kufizime.
Nëse kalon ky draft, i bie që një mjek ose infermier që ka punuar në sektorin privat të mos mund të punësohet në spitale publike tri vjet, pasi e lëshon punën në spitalin privat.
“Profesionisti shëndetësor ka të drejtë të punësohet në sektorin publik nëse kanë kaluar tre (3) vjet nga përfundimi i marrëdhënies së punës në sektorin privat”, thuhet në projektligj.
Madje, në nen nuk specifikohet fare a bëhet fjalë për spital privat. Atij i referohen si punësim në sektor privat, që nënkupton që një mjek para së të punësohet në spital shtetëror të mos ketë pasur asnjë lloj angazhimi për disa vjet në asnjë biznes.
E njëjta vlen edhe për kalimin nga publiku në privat. Nëse ky draft kalon, atëherë mjekët e infermierët e spitaleve të shtetit do të detyrohen që në rast që e lëshojnë punën të mos mund të punojnë askund për disa vjet. Të paktën, në bazë të formulimit. Në të njëjtën fjali, fillimisht thuhet që ata nuk mund të punojnë në privat për 3 vjet, por brenda kllapash e kanë shënuar 5 vjet.
“Profesionisti shëndetësor ka të drejtë të punësohet në sektorin privat nëse kanë kaluar tre vjet nga përfundimi i marrëdhënies së punës në sektorin publik”, thuhet tutje në draft.
Ndonëse në draft, grupi punues po e sheh ndryshe, rreth një dekadë më parë, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që është e jashtëligjshme që punonjësit shëndetësorë të detyrohen të zgjedhin mes publikut e privatit.
Profesionistët shëndetësorë do të vazhdojnë të licencohen çdo 5 vjet, por ordinancat e spitalet private do të kenë licenca të përhershme. Kjo ceket në nenin 65 të këtij drafti.
“1. Institucioni shëndetësor ofron kujdes shëndetësor pasi të pajiset me leje nga Ministria. 2. Leja për ofrim të kujdesit shëndetësor është e përhershme dhe mund të jetë objekt i transferimit nga një subjekt në subjektin tjetër”, thuhet tutje në këtë dokument.
Aktualisht licencimi bëhet çdo 5 vjet.
Në draftligj ka edhe shumë pika të tjera kontestuese. Në ligjin aktual, në nenin që ka të bëjë me parandalimin e konfliktit të interesit theksohet edhe ndalimi i raportit profitabil mes mjekëve dhe kompanive farmaceutike. Ky nen është larguar plotësisht.
Në draft është një paragraf ku shkruhet se çështjet e konfliktit të interesit i adreson ligji për këtë çështje.
Për të gjitha çështjet, KOHA ka kërkuar përgjigje në Ministrinë e Shëndetësisë. Janë pyetur se kush bën pjesë në grupin punues, por kjo përgjigje, sipas tyre, duhet të merret nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, e jo nëpërmjet pyetjeve. Në pyetjet e tjera, në MSH nuk janë përgjigjur. Kanë thënë që drafti nuk është final dhe se, në pajtim me procedurën, do të dalë në diskutim publik.
Kanë dhënë porosi për këdo, që, sipas tyre, nuk e pëlqen këtë draft.
“Ata, që pretendojnë se kanë njohuri dhe ekspertizë më shumë se grupi punues për çështje të caktuara në përmbajtjen e projektligjit, janë të mirëpritur për komente dhe debat të bazuar në fakte gjatë fazës së konsultimeve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ligji për Shëndetësi ka hyrë në fuqi në vitin 2013, në kohën kur ministër ishte Ferid Agani. Ky është ligj bazik dhe më i rëndësishmi në këtë sektor.