Fermerët e Kosovës vitet e fundit kanë rritur prodhimin e trangujve.
Fermeri Kujtim Hoti nga Krusha e Rahovecit ka të mbjellë 65 arë në serrë me këtë kulturë. Hoti tha për RTK se shitja e kësaj kulture është me leverdi por jo shumë të madhe.
“Por për të arritur deri te vjelja është një proces jo i lehtë”, tha ai për emisionin “Toka` të RTK-së.
Hoti i cili kultivon edhe speca në serrë dhe lakër në fushë të hapur thotë se trangulli është kulturë e vështirë për t`u punuar. Se është një kulturë që kërkon punë e pohon edhe agronomi, Asim Hoxha Agronom në kompaninë grumbulluese Agrocelina Xërxa. Por kur duhet të mbillet trangulli dhe sa kohë I lypet për t`u vjelë.
“Uji si për njeriun ashtu edhe për ekosistemin është element bazë i mbijetesës dhe zhvillimit. Trangulli është një kulturë e cila fillimisht pas mbjelljes nuk ka nevojë shumë të madhe për ujitje, por kur vjen koha e vjeljes ajo shtohet dhe bëhet detyrë pothuajse e përditshme”, tha fermeri Hoti.
Problematikë mbesin sëmundjet por për këtë kulturë rrezik më të madh se sëmundjet shkaktojnë insektet. Për t`u mbrojtur nga sëmundjet por edhe për të evituar insektet në bujqësinë jo organike përdoren pesticidet dhe insekticidet. Fermeri Kujtim Hoti thotë se falë një marrëveshjeje të shitjes me një kompani e cila tashmë eksporton produktin e trangullit në Evropë dhe botë, përdorimi i pesticideve është duke u realizuar në mënyrë më profesionale me një mbikëqyrje të rreptë.
Krahas investimeve vetanake fermerët në vendin tonë mbështeten nga institucionet përmes pagesave të drejtpërdrejta dhe granteve. Hoti por edhe fermerë të tjerë që kishin mbjellë këtë kulturë po i mirëpresin subvencionet duke i vlerësuar të mira, por ata sqarojnë se ngritja e cmimeve të imputeve ka zvogëluar efektin e tyre. Kontratë për shitjen e trangullit në pikën grumbulluese e cila eksporton trangullin në BE kishte edhe Hivzi Aliu.
Derisa po i shkarkonte në makinën e cila kryen selektimin dhe ne fund matë edhe peshën, ai tregon se këtë vit produktiviteti i trangullit është më i madh sesa vitin e kaluar.
Në këtë pikë grumbulluese fermerët thonë se mesatarisht arrijnë çmim të shitjes nga 55 deri në 65 cent për kilogram, pasi cmimet variojnë në saje të madhësisë së trangullit. E një numër ishin të kënaqur me këtë çmim derisa pati edhe prej atyre që shfaqën pakënaqësi. E përfaqësues nga qendra grumbulluese kanë sqarimin e vet. Feim Rexhepi Menaxher i qendrës grumbullues Agrocelina Xërxë, tha se këtë vit kontratë për dërgim të produktit në këtë qendër grumbulluese kanë 80 fermerë.
Drejtues të qendrës grumbulluese thonë se klasifikimi kryhet me standarde të BE-së, derisa shtojnë se çmimi është më i mirë sesa në treg. Krahas trangullit kjo qendër grumbulluese eksporton edhe kulturën e specit. Se fermerët në vend mund të prodhojnë kultura që mund tua kenë lakmi edhe prodhues në BE e pohon agronomi Asim Hoxha.
Ai thotë se kolegët në kompaninë evropianë që kanë kontratë për tregtim janë të kënaqur me cilësinë dhe rendimentin e prodhuar të trangullit në Kosovë. E për të pasur shitje më të mirë krahas prodhimit cilësorë nevojitet një marketing i duhur .
Profesori Mustaf Pllana i cili kishte ligjëruar marketingun në Agroekonomi që nga viti 2005 thotë se ka avansim në këtë fushë por duhet të bëhet edhe shumë në këtë fushë. Sipas tijë bazë e një marketingu të mirëfilltë është hulumtimi dhe përshtatja me tregun. Ai thotë se krahas reklamës për një marketing të mirë duhet pasur parasysh edhe çmimin.
Krahas çmimit rol shumë të rëndësishëm luan edhe ambalazhimi apo paketimi. Pllana sqaron se në vendin tonë marketingu ende është klasik derisa bota tashmë po shënon hapa të mëdhenj në marketingun digjital. Për të arritur një marketing të mirëfilltë Pllana sugjeroi trajnime dhe krijimin e një sektori të tillë në vetë ministrinë e Bujqësisë.