Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se kanë bërë kërkesë për angazhimin e stafit shtesë shëndetësor, sidomos infermierë, pasi ai ka thënë se kanë nevojë shumë.
Krasniqi në një prononcim për Indeksonline ka thënë se po presin të gjejnë mënyrën me angazhu sërish staf shtesë, pas rritjes së numrit të rasteve pozitive me Covid-19.
“Procedurat e ministrisë nuk i di se si i angazhojnë, por ne kemi nevojë për infermierë. Ne presim përgjigje pozitive nga ministria dhe ministri është i angazhuar maksimalisht që të gjejë mënyrën që të angazhohen staf shtesë sidomos infermierë”, ka thënë Krasniqi.
Sa i përket situatës me Covid-19 në vend, ai thotë se situata aktualisht është e menaxhueshme.
“Nuk kemi numër të madh të shtrirëve ne spitale, por duhet jemi të përgatitur për çdo eventualitet nëse do të kemi fluks më të madh të pacientëve”, ka shtuar ai.
Kujtojmë se sot Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka takuar drejtorët e Spitaleve të Përgjithshme, me të cilët ka diskutuar për kapacitetet dhe planet për menaxhim të pandemisë, pas rritjes së rasteve të reja me koronavirus.
Ministria e Shëndetësisë muajin e kaluar nuk ua kishte vazhduar kontratat një pjesë të stafit mjekësore të cilët ishin angazhuar përkohësisht pas përkeqësimit të gjendjes me Covid-19 në Kosovë.