Serbia dje nisi më vaksinim në Serbi, e sot ka vazhduar edhe në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se sot janë dhënë vaksina në Leposaviq, ndërkohë që gjatë ditës do të jepen edhe në veri të Mitrovicës, shkruan Kossev.
Nuk është precizuar se sa vaksina i ka ndarë për serbët e Kosovës.
Vuçiqi dha lajmin për këtë, pasi sot pranoi një donacion shumëmilionësh nga Emiratet e Bashkuara Arabe në pajisje mjekësore.
Serbia ka pranuar kontingjentin e parë të vaksinave të Pfizerit në masë 4.800 copë, duke u bërë ndër vendet e para evropiane që nis me programin e vaksinimit kundër COVID-19.
Kosova nuk ka siguruar ende vaksina, por ka aplikuar në programin COVAX, i cili u mundëson vendeve të varfra dhe me zhvillim të mesëm të arrijnë te një numër i kufizuar i vaksinave.
KOHA ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, nëse ky vaksinim është bërë në koordinim me të, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në vazhdimësi mbledh të dhënat e të infektuarve dhe të vdekurve si pasojë e koronavirusit në komunat me shumicë serbe.