Megjithatë, në Kosovë ka skepticizëm rreth furnizimit me vaksina.
Bashkimi Evropian para dy ditësh ka miratuar përdorimin e vaksinës BioNTech-Pfizer kundër COVID-19. Me miratimin e kësaj vaksine nga Bashkimi Evropian është thënë se do t’i dalin në ndihmë edhe shteteve që nuk janë pjesë e BE-së për furnizim.
Megjithatë, akterë politikë në vend shprehen skeptikë që furnizimi me vaksina do të bëhet me kohë në Kosovë, raporton express, përcjell Albinfo.ch.
Me miratimin e vaksinës kundër COVID-19, BioNTech-Pfizer, i është hapur rrugë furnizimit më të shpejtë me të. Shumë shtete të Bashkimit Evropian tashmë kanë filluar të furnizohen me këtë vaksinë. Përfshirë këtu, edhe Serbia pritet të furnizohet nesër. Mirëpo, përkundër që nga Bashkimi Evropian janë shprehur se do t’i ndihmojnë vendit me furnizim me vaksina, akterë politikë shprehën skeptik se furnizimi do të bëhet me kohë.
Zëdhënës për politikën e jashtme dhe sigurinë në Bashkimin Evropian kanë thënë për Express, se janë të përkushtuar në mënyrë që të gjithë ata që kanë nevojë për vaksinën COVID-19, të kenë qasje në të.
Nga BE-ja është thënë se janë ndarë 500 milionë euro nga buxheti i tyre dhe i shteteve anëtare për të siguruar mbi 1 miliardë doza vaksinash për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme përmes COVOX, derisa kanë përmendur edhe 20 për qind të vaksinave që do t’i merrë falas Kosova.
“Ekipi në Evropë, përfshirë këtu Komisionin Evropian, Bankën Evropiane të Investimeve dhe shtetet anëtare, deri më tani ka njoftuar për kontribute prej më shumë se 870 milionë euro për COVAX. Kjo përfshin një grant prej 100 milionë eurove nga Fondi Evropian i Zhvillimit dhe një garanci financiare prej 400 milionë eurove”.
Tutje nga zyra për politika të jashtme është thënë se BE-ja do të ndajë fonde në mënyrë që vaksinat kundër COVID-19 që arrijnë në BE të bëhen të disponueshme edhe për Ballkanin Perëndimor në kohën e duhur.
Megjithatë, ndryshe mendojnë akterë politikë në vend.
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka thënë për Express se Kosova ende nuk ka një plan konkretë për furnizim me vaksinën COVID-19.
Kësisoj ai ka deklaruar se Kosova do të furnizohet shumë vonë me këto vaksina.
“Ne e kemi të qartë se do të ketë vonesë në ofrimin e kësaj vaksine për qytetarët për faktin se të gjitha shtetet tjera kanë bërë marrëveshje dhe kanë paguar për vaksinë, ndërsa Kosova ende nuk ka një plan konkretë në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Uka është shprehur se për furnizimin me vaksina kanë kërkuar informacione edhe nga ministri i Shëndetësisë, mirëpo ky i fundit nuk u ka dhënë informacione atyre.
“Prej fillimit kur është folur për vaksinën ne kemi bërë përpjekje që të marrim informacione të detajuara nga ministri i Shëndetësisë për furnizimin që do të ju bëhet Kosovës, duke e pasur parasysh faktin se nuk do të jetë i lehtë furnizimi. Ai i është shmangur pyetjeve”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, i cili me profesion është edhe mjek, ka thënë se miratimi i vaksinës nga ana e BES-së është një lajm i mirë për vendin, për shkak se nëse ajo nuk do të ishte miratuar, atëherë edhe Kosova do të kishte pasur probleme në furnizim.
“Procesi i sigurimit të vaksinave është proces në vazhdim. BE-ja para dy ditëve e ka aprovuar vaksinën, ky ka qenë një lajm i mirë. Nëse nuk do të ishte aprovuar në BE edhe ne do të kishim pasur problem”, ka thënë ai.
Hyseni ka theksuar se tashmë janë tre nisma të ndërmarra nga Qeveria për furnizim me vaksina dhe se po synojnë të furnizohen me 900 mijë vaksina.
“Kanë qenë tre katër nisma për vaksina. Një prej vaksinave sigurohet si donacion nga shtetet e BE-së. Ne jemi në negociata me dy kompania tjera për pjesën tjetër të vaksinave dhe synimi është të furnizohemi me rreth 900 mijë vaksina”, ka shtuar ai.
Përndryshe, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë janë e kaluar për gazetën se koha kur vaksina do të jetë e qasshme do të varet nga dinamika me të cilën COVAX do t’i sigurojë vaksinat nga prodhuesit e tyre.