Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ritheksuar se dialogu me Serbinë, duhet të përqendrohet në njohje reciproke, si e vetmja zgjidhje që siguron paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
Në konferencën e përbashkët me presidentin e KE-së, Charles Michel, ajo tha se dialogu nuk është vetëm një kërkesë e komunitetit ndërkombëtar, por është proces jetik që i shpien të dyja vendet drejt Bashkimit Evropian.
“Kosova është plotësisht e përkushtuar poashtu ndaj dialogut me Serbinë, proces ky i lehtësuar nga ana e Bashkimit Evropian. Për Kosovën, dialogu nuk është vetëm një kërkesë e komunitetit ndërkombëtar, por është proces jetik që i shpien të dyja vendet drejt Bashkimit Evropian. Ky proces duhet të përqendrohet në njohjen reciproke si e vetmja zgjidhje që siguron paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”, tha ajo.
Sipas saj, “BE nuk do duhej që të lejonte që dialogu të shndërrohej në instrument të Serbisë për ta minuar integritetin e Republikës së Kosovës, qoftë ne mekanizma rajonal, qoftë në mekanizma evropian, sepse një gjë e tillë as nuk lejohet, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel në vitin 2013 në ndërmjetësimin e BE-së”.