Një incident mes dy të burgosurve ka ndodhur para dy ditësh në Qendrën e Paraburgimit në Pejë. Përleshja, motivet e së cilës ende nuk dihen eskaloi në konflikt fizik, me ç’rast një 31-vjeçar ka sulmuar me grushte një 30-vjeçar.
Gjithçka ndodhi te kabina telefonike, ku viktima ishte duke biseduar në momentin që u përball me të dyshuarin, i cili e goditi me grusht në kokë dhe më pas edhe në fytyrë.
Sinjali mëson se për shkak të tensionimit të situatës, menjëherë kanë ndërhyrë gardianët e Qendrës së Paraburgimit, të cilët i kanë ndarë dy palët. Viktima është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës për të marrë trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve që ka pësuar.
Burimet e Sinjalit thonë se pas intervistimit të palëve është kuptuar se i dyshuari edhe më parë e kishte provokuar dhe ngacmuar viktimën verbalisht, derisa mosmarrëveshja kulmoi me sulm.
Lidhur me këtë ngjarje, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast.
/GazetaSinjali/