Të martën është nënshkruar marrëvshje bashkëpunimi në mes të drejtuesve të gjimnazit “ Loyola” në Prizren dhe atyre të Universitetit të Siegen-it të Gjermanisë, që pas përfundimit të maturës, nxënësit e Gjimnazit “Loyola” në Prizren do të kenë mundësi të ndjekin studimet e tyre edhe në Universitetin gjerman të Siegen-it.
Kjo është bërë e mundur pas nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi në mes këtyre dy institucioneve, në të cilën qartësohen procedurat dhe mundësitë që maturantët e kësaj shkolle do të kenë për të arritur formimin e tyre profesional në këtë universitet. Marrëveshja në mes këtyre institucioneve është nënshkruar nga rektori i Universitetit të Siegen-it, dr. Holger Burckhart, kryetari i Bordit të ALG “Loyola-Gymnasium”, dr. Matias Czech dhe drejtorit ekzekutiv të ALG-së, Elias Koller.
Detajet e marrëveshjes janë diskutuar gjatë një vizite në këtë shkollë, më 03.06.2022, të drejtuesve të departamentit të jashtëm të Universitetit të Siegenit, Christian Gerhus dhe Phillipp Schmidt.
Kjo marrëveshje përfshin sigurimin e kuotave të caktuara të vendeve të studimit në lëndët me pranim të lirë dhe të kufizuar, si dhe ndihmë të mëtejshme për maturantët e „Loyola-Gymnasium“ për të filluar studimet në Siegen.
Aktualisht në këtë universitet studiojnë 11 nxënës të kësaj shkolle, ndërsa një numër tjetër i madh i tyre vijojnë të studiojnë në universietet tjera në Gjermani, falë përgatitjes së lartë që kanë fituar këtu, njohurive të gjermanishtes, por edhe për shkak se diploma e kësaj shkolle njihet në shtetet gjermanishfolëse.