Shumë punëtorë në sektorin privat vlerësohet se punojnë pa kontrata pune, me ç’rast edhe pagat i marrin CASH e jo nëpërmjet sektorit bankar, duke mos i paguar kështu tatimet ndaj shtetit e as kontributet pensionale.
Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) thonë për Front Online se nga dhjetori i vitit të kaluar kanë hartuar Planin e Veprimit për “Përmirësimin e përmbushjes për Punësimin jo-formal”, ku përmes këtij plani, siç thonë ata, do të kryejë aktivitete intensive me qëllim të identifikimit të personave të cilët nuk përmbushin detyrimet e tyre.
Verifikimi i punëtorëve
Që nga hartimi i Planit të Veprimit nga ATK-ja, janë regjistruar 2 mijë e 335 punëtorë nga ky institucion.
Kështu ka bërë të ditur për Front Online zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa.
“ATK nga viti i kaluar është duke implementuar projekt te veçanta për trajtimin e punëtoreve të paformalizuar. Po ashtu në shërbim nga 27 dhjetori i vitit të kaluar kemi lansuar edhe veglën elektronike e cila i mundëson punëtoreve të verifikojnë vetën nëse janë të regjistruar nga punëdhënësi i tyre. Po ashtu, në të njëjtën vegël mundësohet edhe denoncimi i punëdhënësit në rast të mos regjistrimit. Nga aktivitetet në terren për ketë periudhë kemi formalizuar 2, 335 punëtorë”, deklaroi ajo.
205 punëtorë kanë denoncuar punëdhënësit
Zëdhënësja e ATK-së, ka deklaruar se 205 punëtorë kanë denoncuar punëdhënësit e tyre për mos regjistrim.
“Ndërsa përmes veglës elektroni numri i punëtoreve, të cilët kanë raportuar punëdhënësin është 205. Secili rast i cili raportohet ne ATK menjëherë përcjellët ne regjionin përkatës për trajtim”, u shpreh ajo.
Sipas Bytyqi-Sefas, për çdo mos pagesë të tatimeve dhe kontributeve me kohë ndëshkimet vetëm kalkulohen.
“Afatet ligjore janë për çdo muaj të vitit d.m.th. është data e 15 e muajit në vijim për pagës të tatimeve dhe kontributeve. Për çdo mos pagese me kohë i kalkulohen ndëshkimet. Ndërsa ndëshkimet janë sikurse për shmangie tatimore, pasi që nuk ka dispozitë të veçantë për ndëshkim të mos deklarimit të punëtorit”, potencoi zëdhënësja e ATK-së për Front Online.
Ndryshe, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që punojnë në sektorin privat mund të verifikojnë nëse janë regjistruar apo deklaruar nga punëdhënësi i tyre në këtë link: https://apps.atk-ks.org/regemployer./