Rastet e dhunës në familje përditë e më shumë janë në rritje në Kosovë. Shumicën e rasteve viktima janë gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike nga anëtarët e familjes. E një rast i tillë është raportuar mbrëmë në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se një 19-vjeçare ka denoncuar në Polici babain e saj, për të cilin ka deklaruar se e ka rrahur.
Menjëherë pas denoncimit, njësitet policorë janë vënë në lëvizje që ta shoqërojnë personin e dyshuar në stacion policor për intervistim.
Me të arritur në stacion, i dyshuari i është nënshtruar testit të alkoolit, me ç’rast ka rezultuar se është nën ndikim të alkoolit.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj tij iniciohet rasti ‘Dhunë në familje’.
Po ashtu, burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se 42-vjeçari është recidivist i kësaj vepre, ku si pasojë edhe më parë kishte përfunduar disa herë në Polici.