Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti. Kreu i Qeverisë, i pyetur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, tha se po i del boll Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Ibrahimi e ka falenderuar Kurtin për “kompliment” dhe e ka paralajmëruar se do të ketë edhe më shumë punë me këtë asociacion.
“Faleminderit për kompliment. Do të kesh punë edhe më shumë sepse kërkesat e komumave janë në rritje e sipër”, thotë Ibrahimi në një reagim.
Ai tha se megjithatë duan bashkëpunim me kryeministrin.
“AKK është e gatshme si gjithmonë për bashkëpunim që të ta lehtësojë punën”, thotë Ibrahimi.
Kurti e ka demantuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Eruopian, Viola von Cramon lidhur me një plan për implementimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Së pari Kosova e ka Asociacionin e Komunave dhe besoni që mua si kryeministër mjaft po më del ky Asociacion i Komunave të Kosova ekzistues”, tha ai ndër tjerash në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë.