Anulimi i tenderit për dekorimin e qytetit të Prizrenit me rastin e festave të fundvitit ka nxitur bizneset, por edhe qytetarët, që t’i drejtohen Komunës me thirrjen që ta gjejë një zgjidhje për këtë çështje, brenda një afati të shkurtër kohor. Zyrtarët komunalë kanë pohuar se sivjet do të ketë dekorim, në bashkëpunim me disa biznese vendore dhe me mjetet e një projekti turistik, porse megjithatë, zbukurimi do të jetë simbolik.
Ilir Shala nga komuniteti i gastronomëve të Prizrenit të hënën ka theksuar se dekorimi për fundvit duhet të realizohet sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që qytetit t’i jepet frymë, pasi që edhe vizitorët janë mësuar ta shohin zonën historike të zbukuruar në këtë periudhë të vitit. Sipas tij, tenderi për dekorim ka dështuar edhe vitin e shkuar, prandaj dhe u takon organeve përgjegjëse që të bëjnë një zgjidhje, në mënyrë që Prizreni të mos mbetet i zymtë gjatë atmosferës festive.
“Thirrja jonë për organet e Komunës është që të paktën në këto ditë pak të mbetura të reflektojnë dhe ta rregullojnë qytetin, ashtu që qytetarëve dhe bizneseve t’u kthejnë një pozitivitet, se kjo ngarkesa me pandemi e ka bërë të veten, në mënyrë që syri të shohë diçka mirë e të ketë buzëqeshje te fëmijët dhe vizitorët e Prizrenit”, ka thënë Shala.
Ai ka shtuar se Prizreni është ndër qytetet e rralla të Kosovës që ka mbetur i padekoruar.
Lidhur me mosdekorimin e deritanishëm në qendër të Prizrenit ka pasur reagime të ndryshme në rrjete sociale, nga kërkesa për transparencë e deri te zbukurimi adekuat për festat e fundvitit.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se procedura tenderuese për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit është anuluar dhe se mjetet e parapara janë orientuar te Drejtoria e Mirëqenies Sociale. Sipas tij, dekorimi do të realizohet në bashkëpunim me bizneset që kanë shprehur interesim dhe me projektin e planifikuar të dimrit kulturor.
“Kemi biseduar me bizneset që janë të interesuara të zbukurojnë qytetin, ata do të fillojnë. E kemi edhe projektin dimri kulturor. Aty kanë qenë disa paramasa, pasi kemi menduar organizimin e kësaj ngjarjeje. Për shkak të pandemisë, këto ngjarje nuk do të organizohen dhe po mendojmë t’i shfrytëzojmë ato mjete për ta shtuar pjesën e zbukurimeve, në mënyrë që të përmbushim kërkesën e bizneseve në Shadërvan”, ka deklaruar Haskuka.
Sipas tij, në aktivitetin e prokurimit ka pasur dy ofertues dhe se të dyja janë vlerësuar të papërgjegjshme. “Dekorimi ka qenë me mallra e shërbime, procedura nuk është përfunduar, faktikisht nuk kemi pasur ofertues që kanë përmbushur kriteret dhe është anuluar. Edhe kjo nuk do të shkojë huq, ngaqë 30 mijë eurot do të shkojnë për 270 familje në nevojë për sigurimin e drunjve për dimër… Do të ketë dekorim, por jo me atë shumë që e kemi paraparë, është një dekorim më simbolik”, është shprehur Haskuka.
Komuna e Prizrenit në muajin nëntor ka publikuar tenderin për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit. Mirëpo, PDK-ja opozitare këtë tender e pati quajtur jo vetëm të panevojshëm, por edhe provokativ, për shkak të situatës së rëndë shëndetësore dhe ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.
Në fillim të muajit dhjetor, Komuna e Prizrenit ka publikuar njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.
“Ky tender anulohet, sepse nuk kemi oferta të përgjegjshme dhe nuk i përmbushin kushtet e njoftimit për kontratë”, shkruan në njoftimin e Zyrës së Prokurimit Publik.
Edhe vitin e shkuar tenderi për dekorimin e Prizrenit për festat e fundvitit ka dështuar. Komuna e Prizrenit dekorimin e qytetit vjet e pati bërë në bashkëpunim me bizneset lokale.