Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj sot mori pjesë në mbledhjen virtuale ndërmjet ministrave të 44 shteteve të botës të organizuar nga sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd J. Austin III, si pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Me këtë rast, Mehaj tha se që nga 24 shkurti i këtij viti është bërë e qartë se Rusia përbën rrezik permanent për shtetet fqinje të saj, por dhe për sigurinë dhe stabilitetin në botë.
Gjithashtu, ai ndërlidhi agresionin rus ndaj Ukrainës dhe gjenocidi ndaj popullit ukrainas, tmerret të cilat po i përjetojnë, me atë që ka përjetuar Kosova në vitin 1998/99.
Ndër të tjera, Mehaj ritheksoi përkrahjen e plotë të sanksioneve të vendeve aleate ndaj Rusisë, dhe gatishmërinë për mbështetje në koordinim me NATO-n, SHBA-në dhe BE-në, duke aluduar në strehimin e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas të cilët janë të rrezikuar nga agresori rus.
Ai ritheksoi fuqishëm se Kosova është përkrah SHBA-së dhe kundër çdo kërcënimi dhe rreziku që cenon sovranitetin e shteteve demokratike.
Pjesëmarrja e ministrit Mehaj në këtë mbledhje dëshmon fuqishëm besimin e plotë të aleatit tonë kryesor strategjik SHBA-së në Republikën e Kosovës, institucioneve dhe lidershipit të saj në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të lirisë, paqes dhe demokracisë, thuhet në komunikatë.