Zyra për Rregullatorin e Energjisë (ZRRE) ka njoftuar se Bordi i saj më 20 maj ka marrë vendim që të zbatojë aktvendimin e Gjykatës së Apelit, duke shtyrë ekzekutimin e vendimit për blloktarifa.
ZRRE ka thënë se pas pranimit të vendimit Furnizuesi i Shërbimit Universal për energji elektrike (FSHU) ka kërkuar udhëzime për zbatimin e vendimit që rrjedhë nga aktvendimi i Gjykatës së Apelit. E të njëjtën e ka kërkuar edhe KOSTT-i.
“Duke qenë se aktvendimet nuk përmbajnë sqarime se si të zbatohen ato, duke krijuar paqartësi të mëdha të zbatimit, ZRRE i është drejtuar gjykatave kompetente për udhëzime se si të zbatohet aktvendimi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike”, tha ZRRE.
Ajo ka njoftuar po ashtu se i është drejtuar edhe Gjykatës Supreme.
“Njëkohësisht, ZRRE i është drejtuar Gjykatës Supreme përmes ushtrimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike. ZRRE është duke u konsultuar me të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës si dhe palët tjera të interesit, që sa më shpejtë të gjejë zgjidhje për mënyrën e implementimit të vendimit”, është thënë nga ZRRE.