Saktësisht 359 punëtorë të Telekomit kanë aplikuar për të shfrytëzuar të drejtën për pensionim të parakohshëm e ndërprerje vullnetare të kontratave, si pjesë e pakos që ua ka ofruar ndërmarrja në kuadër të ristrukturimit.
Të drejtën për pensionim të parakohshëm e gëzojnë punëtorët që parashihet të dalin në pension në katër vitet e ardhshme. Ata që shfrytëzojnë këtë të drejtë do të përfitojnë 60 për qind të pagës aktuale bruto për periudhën deri në pensionim, ndërkaq ata që vullnetarisht ndërpresin kontratat do të marrin 24 paga bruto.
Në një përgjigje për KOHËN, Telekomi ka bërë të ditur se 72 persona kanë aplikuar për pensionim të parakohshëm vullnetar e 287 për ndërprerje të parakohshme të kontratave.
Afati ka përfunduar më 10 maj. Sipas ndërmarrjes, ky afat ka qenë i zgjatur për shkak se i parapari ishte mbyllur më 25 prill, por që ka pasur punëtorë që s’kanë arritur ta shfrytëzojnë afatin kohor.
Sipas përgjigjes, deri më 17 maj do të bëhet një listë përfundimtare me emrat e punëtorëve të cilëve do t’u aprovohet kërkesa për largim vullnetar, me kompensimin përkatës.