Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk ka asnjë informacion rreth pretendimeve të homologut të tij serb Nikola Selakoviq se katër shtete janë gati ta çnjohin pavarësinë e Kosovës.
Gërvalla tha se fakti që një deklaratë e tillë e Selakoviqit vjen veç pak orë pas aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kjo tregon sipas saj, se lajmi ose është i pavërtetë ose kanë punuar gjatë për këtë për dallim nga ajo se çfarë ata deklarojnë publikisht.
Më tej, Gërvalla tha se kanë pasur informacione se Serbia nuk është ndalur se lobuari në shtete të ndryshme në mënyrë që ato ta tërheqin njohjen e Kosovës, madje, siç tha ajo, në disa raste atyre u është ofruar edhe sheqer.
“Kemi pasur informacione nga shtete të ndryshme në kontinente të tjera se Serbia s’ka pushuar për asnjë moment së punuar për çnjohje të Kosovës nga shtete të ndryshme”.
“Madje nga shtete të Kontinentit Afrikan ka pasur oferta të kombinuara të armëve ruse të kombinuara me vaksina ruse dhe për çudi sheqer. Kjo ka qenë oferta për disa shtete që nuk e kanë tërhequr njohjen për Kosovën”, është shprehur Gërvalla në konferencë për media.
Ajo, tutje tha se Serbia duhet ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në KE, sepse sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në këtë këshill u ndihmon të gjithë qytetarëve të vendit, edhe atyre serbë.