Drejtori i Informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla, ka thënë se ka qenë e panevojshme ngjarja që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes, të cilët kanë pamundësuar mbajtjen e seancës për shkak të pranisë së Driton Selmanajt, zëvendëskryeministrit të vendit.
“Shpresoj të shpiket ndonjë vaksinë që e rregullon punën në Kuvendin e Kosovës, ndonjë vaksinë politike apo kuvendare që e vë në binar të drejtë procesin e punë së Kuvendit të Kosovës. Ajo që ka ndodhur sot ishte absolutisht gjëja më e panevojshme që i duhej edhe Kuvendit edhe Republikës sonë”, ka thënë Syla.
“Kjo punë mendoj se ka përfunduar qe një kohë, atëherë kur në një studio të Klan Kosovës por edhe në paraqitje të tjera publike, Driton Selmanaj ka kërkuar falje për deklaratën e tij për të pagjeturit dhe për deklaratën për Saranda Bogujevcin, deputeten e LVV-së, për të cilën ka gabuar”.
“E kuptoj VV-në ka pasë një nervoz me të drejt pas këtyre deklaratave bombastike dhe jo të mira të Selmanajt, por nuk mund të mbahet peng puna e Kuvendit për atë që ka ndodhur më herët”.
Syla në Info Magazine ka deklaruar se situata të tilla qytetarët e vendit nuk meritojnë të shohin në Kuvendin e Kosovës dhe se duhet të gjendet sa më shpejt një zgjidhje.
“Unë e shoh vetëm një mundësi të daljes nga kjo situatë nëse VV-ja nuk tërhiqet dhe kjo është nëse Selmanaj jep dorëheqje nga pozita e saj ose deklarohet se nuk vjen në seancat e Kuvendit”.
“Nuk është se nuk është me patjetër prania e tij aty, ai mundet që një ministri t’ia delegojë prezantimi napo mbrojtjen e një projektligji në Kuvendin e Kosovës. Nuk është e pazgjidhshme kjo situatë”, ka thënë Syla.