Operatorët komercialë të energjisë nuk mund të tregtojnë energji elektrike në kufirin energjetik të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, thuhet në një përgjigje nga zyra për informim e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).
Kjo ndërprerje ka ndodhur që nga 14 dhjetori, kur KOSTT-i ka filluar të operojë si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës.
“Aktualisht, nuk bëhen transaksione komerciale të energjisë elektrike (tregtim) në kufirin energjetik Kosovë – Serbi, por linjat ndërkufitare janë në operim dhe në ato rrjedh energjia elektrike”, thuhet në një përgjigj të KOSTT-it.
Sipas KOSTT-it, arsyeja pse ende nuk ka tregtim në linjat ndërkufitare Kosovë-Serbi është për shkak se operatori serb EMS (Rrjeti Elektro-energjetik i Serbisë) ende nuk ka bërë marrëveshje me KOSTT-in për tregtim të kapaciteteve.
Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje EMS-së, lidhur me këtë çështje dhe për një marrëveshje të tillë, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Por, thonë zyrtarë të KOSTT-it, kjo nuk do të thotë që tregtarët nuk kanë mundësi që të tregtojnë energjinë elektrike për në destinacionin e synuar, pasi që ata mund të shfrytëzojnë rrugë të tjera alternative.
Gjukaj: Serbia e ka keqpërdorur fazën testuese
Njohësi i çështjes energjetike në Kosovë, Arben Gjukaj, thotë se Serbia, duke shfrytëzuar fazën tranzitore të pavarësimit të rrjetit transmetues të Kosovës, ka shitur në mënyrë jo-transparente dhe kundër rregullave për tregti ndërkufitarë te kapaciteteve transmetuese, në linjat në mes të Kosovës dhe Serbisë (400 dhe 220) kilovolt (KV).
E gjithë kjo, sipas tij, është bërë për shkak se operatori i transmisionit të Serbisë, EMS-ja nuk ka bashkëpunuar me operatorin e transmisiont të Kosovës, KOSTT, në fazë tranzitore të fillimit të operimit të KOSTT-it si zonë rregulluese e pavarur me Shqipërinë. Kjo situatë do të jetë deri më 31 dhjetor, pasi Serbia krejt kapacitetet e linjave transmetuese ndërshtetërore që kanë shkuar në drejtim të Kosovës i ka deklaruar zero. Ai shton se nuk ka kapacitete të lira në këto linja për tregtarët që dëshirojnë të shesin apo blejnë energji në Kosovë ose anasjelltas.
“Në këtë situatë e vetmja rrugë për tregtim të energjisë elektrike për tregtarët dhe operatorët tjerë vendorë, është përdorimi i rrugëve alternative që janë linja transmetuese me vendet tjera fqinje që lidhin Kosovën me rajonin”, thotë Gjukaj.
Në takimin e datës 1 dhjetor 2020 të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-së, të gjithë Operatorët e Sistemit të Transmetimit (OST), janë zotuar që do ta përkrahin KOSTT-in në fazën e tranzicionit si zonë e pavarur rregulluese Shqipëri-Kosovë.
Gjukaj: Shfrytëzimi i linjave alternative ka kosto më të lartë
Gjukaj thotë se shfrytëzimi i linjave alternative nga operatorët ka kosto më të lartë.
“Kjo është e logjikshme, sepse rruga më e largët ka kosto të transportit ose shfrytëzimit të rrjetit. Kjo është normale, për këtë edhe rregullat dhe të gjithë direktivat e Bashkimit Evropian kanë shtyrë vendet e Evropës Juglindore që t’i hapin kufijtë dhe të jenë më transparentë, të ndihmojnë njëri-tjetrin në interkoneksion edhe në tregtim të energjisë që konsumatorët e vendeve përkatëse të përfitojnë nga çmimet më të lira të mundshme”, thekson Gjukaj.
KOSTT-i që nga 14 dhjetori operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë, ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.
Menjëherë pas fillimi tëoperimit të pavarurtë KOSTT-it, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova importonte nga ky shtet, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, të martën Nebih Zariqi, anëtar i bordit të KOSTT-it.
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Blerim Kuçi, ndërkaq ka thënë të enjten se Serbia po shkel Traktatin e Komunitetit të Energjisë, duke bllokuar linjat transmetuese për Kosovën.
Ai i ka bërë këto komente në një takim të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, që këtë herë është mbajtur në kryesimin e Malit të Zi, pas pavarësimit energjetik të Kosovës.
Sipas Kuçit, këto veprime janë të patolerueshme dhe duhet të sanksionohen nga Bashkimi Evropian.