Vitin e kaluar, saktësisht më 20 dhjetor 2021 ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ai i Danimarkës, Nick Hakkerup kanë nënshkruar një letër-qëllim në Prishtinë për ofrimin e burgjeve për të burgosurit në Danimarkë.
E sot për vizitë ndodhet sërish ministri danez i Drejtësisë, Hakkerup.
Megjithëse nuk është bërë e ditur ende e tërë agjenda e takimeve, ajo që është njoftuar është se me ministrin danez do të takohet kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca në orën 10:00.
Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar, ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup gjatë vizitës në Prishtinë kishte thënë se nga marrëveshja do të përfitojnë të dy palët.
Ai kishte përmendur mungesën e hapësirave në burgjet e Danimarkës, duke falënderuar Kosovën për mundësinë e zhvendosjes së të burgosurve.
“Sapo nënshkruam një letër qëllimi, ne e shohim si një gurthemel për marrëveshjet e ardhshme. Është një marrëveshje që do të përfitojmë të dyja palët. Shërbimi korrektues i Danimarkës është i mbingarkuar. E kemi kontaktuar para një viti Qeverinë e Kosovës”, kishte deklaruar Hakkerup.
Ai kishte njoftuar se Danimarka ka kërkuar ndihmë edhe nga vende tjera për sistemimin e të burgosurve por Kosova e para ka ofruar ndihmë.
“Kemi kërkuar ndihmë nga disa vende për ta zgjidhur këtë problem, por Kosova ka qenë vendi i parë që ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesës tonë dhe është angazhuar pozitivisht më pas në dialog për këtë çështje”.