Ministri i Jashtëm i Rusisë thotë se Moska është e gatshme për bisedime për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë, por do të vazhdojë të bëjë presion për të shkatërruar infrastrukturën ushtarake të Ukrainës.
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se delegacioni rus ia paraqiti kërkesat e tij negociatorëve ukrainas në fillim të kësaj jave dhe tani është duke pritur për përgjigjen e Kievit në bisedimet e vendosura për të enjten.
Lavrov tha se Perëndimi e ka armatosur vazhdimisht Ukrainën, ka trajnuar trupat e saj dhe ka ndërtuar baza atje për ta kthyer Ukrainën në një mburojë kundër Rusisë.
Rusia thotë se kjo e bëri Ukrainën një kërcënim për sigurinë e saj, duke e detyruar atë të veprojë.
SHBA dhe aleatët e saj kanë këmbëngulur se NATO është një aleancë mbrojtëse që nuk përbën kërcënim për Rusinë.
Lavrov e kundërshtoi me forcë këtë, duke thënë se Perëndimi e ka kthyer Ukrainën në një “urë për të minuar gjithçka që është ruse”.
Më 24 shkurt, forcat ushtarake të Federatës Ruse kanë nisur pushtimin e Ukrainës.
Shteti rus kundërshton integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Perëndimi i ka dënuar ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Rusisë i janë vendosur një sërë sanksionesh nga shtetet perëndimore.