Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se posti i presidentit iu takon atyre.
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se nominimi i Ramush Haradinajt për president është bërë për t’i ikur bllokadave të mundshme.
“Siç e dini Aleanca gjatë tërë kohës ka qenë transparente me partnerët në koalicion. Vet nominimi i z. Haradinaj për president është bërë për t’i kontribuar zgjidhjes dhe për t’i ikur bllokadave të mundshme”, u shpreh Lekaj.
I pyetur rreth deklaratës së kryetarit në detyrë të PDK-së, Enver Hoxhaj i cili mbrëmë tha se Haradinaj po shantazhon kur po thotë “ose unë president ose shkojmë në zgjedhje”, Lekaj shtoi se nuk janë duke e kushtëzuar askënd.
Lekaj tutje shtoi se AAK-ja nuk ka vota për askënd tjetër përveç Haradinajt si president.
“Ne nuk po e kushtëzojmë askënd, ne kemi kandidatin tonë për president, dhe nuk kemi vota për ndonjë kandidat tjetër të mundshëm. Kjo nuk do të thotë që partitë tjera nuk kanë të drejtën e tyre që të nominojnë kandidatët e tyre për president, munden edhe pa Aleancën ta zgjedhin presidentin sepse janë edhe 105 vota tjera në Kuvend”, u shpreh Lekaj për Telegrafin.
Ai theksoi se çdokush e njeh kontributin e Haradinajt ndër vite në skenën politike, si figurë unifikuese dhe si personalitet që sa herë ka qenë në pyetje vendi ka treguar se është i gatshëm t’i dalë zot shumë proceseve të vështira, duke dalë gjithmonë fitimtar në çdo etapë dhe duke fuqizuar Kosovën.
Ndryshe, Enver Hoxhaj ka thënë se ish-kryetari i PDK-së Kadri Veseli nuk ia ka premtuar Ramush Haradinajt votat e PDK-së për president.
Hoxhaj theksoi është temë e mbyllur që PDK-ja mund ta votojë një kandidat për president që nuk është propozim i partisë që ai e drejton aktualisht.
Në anën tjetër , kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk ka gatishmëri mes partive politike për zgjedhjen e presidentit dhe se vendi po rrëshqet drejt zgjedhjeve.