Spitalet rajonale në Kosovë nga nesër, thonë nga SHSKUK’ja, se do të nisin të furnizohen me oksigjen. Shumë prej spitaleve së fundmi janë përballur me mungesë të oksigjenit.
Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës sot ka nënshkruar kontratat e reja për furnizim me oksigjen.
Selami Krasniqi, shef i prokurimit në SHSKUK ka bërë të ditur për Express se janë kryer të gjitha procedurat për kontratat e reja për furnizim me oksigjen të cilat edhe janë nënshkruajtur sot.
Ai ka bërë të ditur se nga dita e nesërme do të fillojë leferimi i oksigjenit.
“Kontratat e reja hynë në fuqi ditën e nënshkrimit, që do të thotë se operatorët ekonomikë menjherë prej datës 10.12.2020, fillojnë liferimin me oksigjen nga kontratat e reja”, ka thënë ai.
Krasniqi ka treguar edhe për operatorët të cilët do të merren me furnizim të institucioneve publike shëndetësore me oksigjen.
“Kontrata për oksigjen të lëngët është nënshkruar me operatorin Ekonomik “Medical Group”. Kontrata për oksigjen të gaztë (me bombola) është nënshkruar me operatorin Ekonomik “Medica””, ka thënë ai.
Kontratat për furnizim me oksigjen disa herë ishin pezulluar për shkak të kërkesave të operatorëve ekonomikë. Kësisoj, edhe spitalet rajonale kishin mbetur pa furnizim.