Për tri ditë radhazi, produktet Nescafe Shakissimo dhe Nesquick Shake u tërhoqën nga tregu kosovar.
Ato madje edhe u asgjësuan, nga autoriteti më i lartë shtetëror i sigurisë ushqimore në vend, pas alarmit që u shpërnda nëpër disa vende të Evropës, nga një rrezik kimik në përbërjen e tyre, njofton Klan Kosova.
Këto produkte të Nescafe dhe Nesquick në Kosovë ishin importuar nga Franca, ndërsa bëhet fjalë për një defekt në fabrikën ku ato u prodhuan. Aty, dezinfektuesi peroksid hidrogjeni i paraparë të pastrojë makinat prodhuese kaloi në produktet e lartpërmendura të qumështit.
Se të gjitha pijet e dyshimta të këtij brendi janë asgjësuar, e konfirmuan edhe në kompaninë Lactalis Kosova që importon këto produkte. Veçse mohuan të kenë pasur ndonjë thirrje apo ankesë nga konsumatorët për këtë rast.
Por, Agjencia e Ushqimit iu bën thirrje qytetarëve që tashmë mund t’i kenë blerë e t’i kenë në shtëpi këto produkte të Nescafe dhe Nesquick, me datat e paralajmëruara të skadencës, t’i kthejnë ato në vendin e blerjes.
Përveç Kosovës këto produkte ishin importuar edhe në Kroaci, Itali, Spanjë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Disa nga këto kishin raportuar për produktet e dyshimta më 3 dhjetor, derisa Kosovën, Autoriteti Ndërkombëtar mbi Sigurinë Ushqimore e njoftoi më 4 dhjetor, kur edhe nisi aksioni i konfiskimit dhe asgjësimit.