Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu, tha se do të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike në ditët e ndërrimit të motmoteve.
Kryeziu në një intervistë për Sytë 7 në Klan Kosova tha se kjo do të ndodhë falë ndihmës që Shqipëria do t’ia jap Kosovës.
“Ne padyshim se jemi falënderues Republikës së Shqipërisë për ndihmën e ofruar e cila është në kuadër të një bashkëpunimi të vazhdueshëm mes dy qeverive sa i përket fushës së energjisë. Dhe ky bashkëpunim do ta mundësojë ose do të sigurojë që gjatë ndërrimit të motmoteve të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike. Kështu që atmosfera festive të mirëmbahet ashtu siç duhet”.
“Ky është një bashkëpunim që dy qeveritë e kanë me njëra-tjetrën sa i përket shkëmbimit të energjisë elektrike apo formave të tjera të kompensimit”.
Para disa ditësh kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se po e përcjell me vëmendje gjendjen me krizën e energjisë elektrike që po mbizotëron në Kosovë.
Rama theksoi se ka kërkuar që të gjendet forma që Shqipëria t’i dalë në ndihmë Kosovës që të ketë rrymë në ditët e ndërrimit të moteve.
Gjatë seancës së djeshme Kuvendi i Kosovës i ka rekomanduar masat emergjente duke synuar që të stabilizohet furnizimi me energji elektrike.