Mediat në Spanjë e kanë cilësuar si kokëçarje për qeverinë spanjolle faktin se ekipi i tyre kombëtar do të përballet me Kosovën në kualifikime për Kupën e Botës 2022, për shkak të çështjeve politike mes dy vendeve.
Në shortin e hedhur të hënën në Zvicër, Kosova mësoi se do të luajë në Grupin B bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, katër kombëtare, tri prej të cilave s’e kanë njohur pavarësinë e saj, shkruan express, përcjell Albinfo.ch.
Verdhekaltërve u ra shorti të luajnë në Grupin A, në fakt, por duke qenë se në atë grup ishte edhe Serbia, atëherë ata u zhvendosën në Grupin B, sipas rregullave të shortit të FIFA-s.
Për çështje politike, Kosova nuk mund të ishte në një grup me Serbinë, Rusinë, Bosnjën dhe Ukrainën.
Mediat në Spanjë, si të përditshmet AS dhe MARCA, vlerësojnë se qeveria spanjolle do të përballet me kokëçarje kur të vijë koha ta presë ekipin kombëtar dardan në Madrid.
Spanja s’e njeh Kosovën për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila e kërkon pavarësimin.
“Spanja është futur në telashe me Kosovën”, ishte titulli i AS në raportimin e shortit të Botërorit Katari 2022.
“Grup i përballueshëm por telashe diplomatike për Spanjën”, ishte titulli i MARCA në raportimin për shortit.