Nëse finalizohet marrëveshja me Mbretërinë e Danimarkës, 300 të burgosurit danezë pritet të vijnë në Kosovë që nga mesi i vitit të ardhshëm. Nga Ministria e Drejtësisë bëjnë me dije se fjala është për të dënuar me burgim deri në dhjetë vjet, si dhe për dëbim.
Ministria e Drejtësisë është pranë finalizimit të marrëveshjes me Mbretërinë e Danimarkës për shfrytëzimin me qira të 300 qelive në Kosovë.
Sipas dakordimit paraprak, pritet që nga mesi i vitit të ardhshëm të arrijë në Kosovë edhe kontingjenti i parë me të burgosur nga Danimarka.
“Mesi i vitit të ardhshëm mund të sjellë kontingjentin e parë të të dënuarve. Edhe ky proces i transferit do të jetë me faza e grupe të vogla. Fillimisht do të jetë si fazë testuese për t’u siguruar se gjithçka do të shkojë mbarë”, ka thënë Alban Muriqi, këshilltar politik në Ministrinë e Drejtësisë.
Nga ky institucion bëjnë me dije se për një vit pagesa është 21 milionë euro e jetëgjatësia e marrëveshjes arrin deri në 10 vjet.
Të burgosurit do të vendosen në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, e cila duket se i plotëson kushtet më së miri për këtë marrëveshje.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, fjala është për të dënuar me dhjetë vjet burg, si dhe për dëbim.
“Ideja është që këta të dënuar, profili i tyre është deri në 10 vjet me depërtim në vendin e origjinës nga vijnë. Kosova s’ka prapë ndonjë obligim. Diku 6 muaj para se të përfundojnë dënimin e tyre, këta të dënuar rikthehen në Danimarkë e më pas ky shtet e përgatit dokumentacionin dhe i kthen në vendet e origjinës. Është përgjegjësi e tyre”, ka shtuar Muriqi.
Lidhur me këtë marrëveshje kanë reaguar edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Sipas tyre, marrëveshja është arritur në diskrecion e i diskriminon të dënuarit në Kosovë.
“Kushtet dhe trajtimi i të dënuarve që do të vendosen në këtë qendër do të jenë pakrahasimisht më të mira se në qendrat e tjera që menaxhohen nga SHKK e që i vë në pozitë diskriminuese afërsisht 1600-1800 të privuar nga liria në Kosovë, sa është afërsisht numri i tyre. Pabarazi dhe diskriminim do të ketë edhe në trajtimin e stafit korrektues të Kosovës”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.
Në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, sipas KMDLNJ-së, janë rreth 200 persona që duhet të transferohen.
Ndërkaq, në të gjithë Kosovën janë 11 institucione korrektuese. Në këto institucione vuajnë dënimin 1120 persona dhe 617 janë të paraburgosur.