Dy persona janë arrestuar nga Policia në aksionin kundër kazinove ilegale në fshatin Karaçevë të Kamenicës.
Po ashtu edhe disa persona janë në kërkim që janë identifikuar nga organet e rendit.
Kështu bëri të ditur për Klankosova.tv zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit Ismet Hashani.
Hashani tha se janë rrënuar tri objekte.
“Dy persona janë arrestuar në Karaqevë, tri objekte janë rrënuar dhe disa persona janë në kërkim. Personat në kërkim janë të identifikuar nga Policia”.
Hashani bëri të ditur se janë konfiskuar një numër i konsiderueshëm i aparateve të lojërave të fatit.
“Janë konfiskuar 96 aparate të lojërave të fatit, katër shtëpiza kompjuterike, tre llaptop, tre monitor, dy TV që janë përdorur për lojëra të fatit, një pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me 17 fishekë , një gjenerator si dhe 469,15 euro që janë gjetur në aparatet e lojërave të fatit”.
Ai theksoi se si vazhdimësi e operacionit janë kontrollu shtëpitë dhe objektet përcjellëse ku jetojnë të dyshuarit si dhe objektet tjera ku janë zhvilluar veprimtaritë e lojërave të fatit.
Të gjitha aparatet dhe gjeneratori sipas procedurave të parapara iu janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtutjeshme.
Zëdhënësi i Policisë në Gjilan tha se edhe Inspekcioni Komunal i Kamenicës e ka asistuar Policinë e Kosovës në rrënimin e tri objekteve të cilat janë ndërtuar pa leje në të cilat kanë qenë duke u ushtruar veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ndërsa një objekt tjetër, është mbyllur dhe shirituar nga Inspeksioni Komunal, Kamenicë.
Lidhur me këtë rast hetimet janë në vazhdim e sipër dhe në kërkim të personave tjerë si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast.
Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore.