Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj janë takuar në mëngjesin e sotëm.Meta ka theksuar se ishte i lumtur që ditën e kishte nisur me një takim vëllazëror me Haradinajn.
Ai deklaroi se në këtë takim ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve në dobi të qytetarëve.
“Në këtë kuadër, vendosja e lidhjes hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës është e domosdoshme dhe me impakt zhvillues për tërë rajonin. Duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve tona, si element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan, theksova se Procesi i Berlinit është një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët europiane”,ka thënë Meta.
Ndërsa, Haradinaj ka thënë se në këtë takim ka kërkuar krijimin e lehtësirave për të mundësuar shtetësinë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që janë“Sot me bashkëpunëtorë e prita në takim të përzemërt, Presidentin e Republikës së Shqipërisë Ilir Meta. Folëm hapur për projektet e përbashkëta me interes të dy vendeve tona dhe kërkova mbështetjen e Presidentit për linjën hekurudhore që do ta lidhte Prishtinën dhe Durrësin, krijimin e një sistemi të përbashkët mbrojtës për ndihmë të ndërsjellë në situata të jashtëzakonshme e emergjente si dhe krijimin e lehtësirave për të mundësuar shtetësinë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që janë”,ka thënë Haradinaj.