Ka mohuar fajësinë i akuzuari për kanosje, A. S., në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Elfete Purova, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtarja Sabaheta Kurteshi e ka njoftuar të akuzuarin me të drejtën e tij për të kërkuar hudhjen e aktakuzës dhe për të kundërshtuar provat, brenda afatit prej 30 ditësh.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për 15 janar 2021, në ora 09:30.
Sipas aktakuzës së 25 qershorit 2020, A.S. akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren se me 21 prill 2020, rreth orës 16:15, në fshatin Vranishte, Komuna Dragashit, saktësisht para oborrit të ambulantes, pas një mos marrëveshjeje paraprake lidhur me parkimin e veturave ndërmjet tyre, seriozisht e kanosë të dëmtuarin A. H., me qellim të frikësimi ose të shkaktimit të ankthit.
Sipas aktit akuzues, vepra ndodhë në atë mënyrë që i pandehuri fillimisht e thërret të dëmtuarin A. H. që ta largoj veturën nga ku e kishte parkuar duke ju drejtuar me fjalët “në qoftë se e parkon edhe një herë veturën këtu kam me të vra” dhe niset në drejtim të dëmtuarit duke vazhduar me “a po don tash me të vra dhe me ta shkatërrua veturën”, më ç’ rast tek i dëmtuari shkakton frikë, ankth dhe pasiguri personale.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosje”, e parapare me nenin 181, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi