Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka thënë se me përjashtim nga LVV-ja, të gjtiha subjektet tjera politike unitetin për presidentin e radhës po e kushtëzojnë më kandidatin e tyre dhe për interesat e tyre, ndërsa shtoi se zgjidhja e vetme për çështjen e presidentit janë zgjedhjet.
Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje insiston që presidenti nuk i takon askujt, për shkak se nuk është pronë.
Ai edhe njëherë përsëriti se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe se pas zgjedhjeve të reja, ai kuvend duhet ta zgjedh edhe presidentin.
“Nuk mund te ketë unitet, pa legjitimitet. Veçanërisht jo rreth figurave të vjetra e partiake. Prandaj, ne insistojmë që presidenti nuk i takon askujt sepse me të vërtetë nuk i takon. Ai nuk është pronë. Atë duhet ta zgjedhë një kuvend i ri, pas zgjedhjeve të reja, sipas disa kritereve që me të vërtetë e bëjnë presidentin e vendit unifikues e përfaqësues të unitetit e popullit”, shkruan Kryeziu.
Postimi i plotë:
Nuk kalon ditë që klubi i vjetër politik nuk demaskohet. Kësaj radhe, rendin e ka “kërkesa dhe nevoja për unitet” rreth çështjes së presidentit.
Po për çfarë uniteti, rreth kujt dhe për çka?
AAK thotë me këmbëngulje se ajo tashmë ka kandidatin e saj dhe nuk përkrahë ndonjë tjetër, e madje për të kërkon edhe “votë veresi”.
PDK thotë se nuk ka votë për ndonjë kandidat tjetër pos nga rradhët e saja, dhe se pas presidentit Thaçi ka ardhë “koha të nderohet me një kandidat tjetër për president”.
LDK, e tmerruar nga zgjedhet e reja, kërkon shpëtim gjetiu teksa thotë se ky post i takon PDK-së.
Si përfundim, të gjitha subjektet, në përjashtim të LV-së, unitetin për presidentin e radhës po e kushtëzojnë më kandidatin e tyre dhe për interesat e tyre. Pra po kërkohet unitet rreth ambicieve dhe interesave të tyre, dhe rreth një qasjeje krejt jokushtetuese pasi të gjitha po synojnë presidentin përmes një kandidati partiak.
Nuk mund te ketë unitet, pa legjitimitet. Veçanërisht jo rreth figurave të vjetra e partiake. Prandaj, ne insistojmë që presidenti nuk i takon askujt sepse me të vërtetë nuk i takon. Ai nuk është pronë. Atë duhet ta zgjedhë një kuvend i ri, pas zgjedhjeve të reja, sipas disa kritereve që me të vërtetë e bëjnë presidentin e vendit unifikues e përfaqësues të unitetit e popullit.
Edhe për këtë dilemë, zgjidhjen e gjejmë tek zgjedhjet.