Tashmë kanë kaluar një vit nga moratoriumi i nënshkruar në Washington, ku Kosova u zotua se nuk do të aplikonte për anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe nuk do të lobonte për njohje të reja, gjersa Serbia ishte zotuar se do ta ndalonte fushatën e ç‘njohjeve për Kosovën.
Skadimi i këtij moratoriumi që ishte nënshkruar në praninë e ish-presidentit SHBA-ve, Donald Trump, nuk është komentuar zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës.
Telegrafi gjatë ditës së sotme ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, rreth kësaj çështje.
Ndryshe nga Kosova, Serbia ka filluar me paralajmërimet e saja diplomatike për fushatën e ç’njohjeve të shtetësisë së Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq ka deklaruar dje për mediat serbe se janë dhjetë vende të gatshme të rishqyrtojnë vendimet rreth njohjes së Kosovës.
Për dallim nga ministri i jashtëm serb, MPJD e Kosovës nuk ka komentuar këto deklarata, pavarësisht pyetjeve të dërguara nga Telegrafi.
Gjithashtu MPJD ka heshtur edhe sa i përket skadimit të moratoriumit të Washingtonit, dhe planeve diplomatike për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohjeve të reja të mundshme të shtetësisë së Kosovës.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, në Grupin për Studime Juridike Politike (GLPS), Arbër Fetahu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se deklaratat nga ministri i jashtëm serb nuk janë risi për Kosovën, dhe në njëfarë mënyre janë edhe të pritshme.
Ai ka shtuar se qoftë në mënyrë zyrtare ose jozyrtare Serbia vazhdimisht ka shfrytëzuar kanalet e saja për të lobuar kundër pavarësisë së Kosovës, dhe ka bërë trysni tek vendet e ndryshme për t’i pezulluar marrëdhëniet diplomatike me Kosovën apo siç thuhet ta çnjohin Kosovën.
“Këto deklarata bëhen më shqetësuese nëse Kosova nuk ka përgatitur një strategji dhe plan për të ju qasur shteteve që kanë qëndrime të luhatshme karshi shtetësisë së Kosovës, dhe shteteve tjera për ta njohur Kosovën”, u shpreh Fetahu.
Fetahu më tej ka komentuar edhe moratoriumin i cili tashmë ka skaduar, duke thënë se ky moratorium 1 vjeçar është dashur të shfrytëzohet nga Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Jashtme për të përpiluar strategji, plane, për ta dinamizuar shërbimin e jashtëm të Kosovë nëpër botë, dhe që tutje të jenë gati për lobim zyrtar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe aplikim për pranim në to si dhe për të kërkuar njohje nga vende të tjera.
“Duhet të shihet nëse Ministria e Jashtme ka përpiluar strategji dhe nëse veç ka afër ndonjë njohje te re ose përafrim për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Nëse nuk ka, atëherë jemi në një pozitë të disfavorshme që do të përdoret nga Serbia për ta dëmtuar reputacionin dhe shtetësinë e Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare”, tha Fetahu.
Ai shtoi se në këtë rast, Kosova duhet të vazhdoj me aplikim për anëtarësim në ato organizata ndërkombëtare ku ka më shumë gjasë për t’u pranuar, të loboj për njohje të reja dhe ta dinamizoj shërbimin e jashtëm që të thellojë bashkëpunimin me vendet njohëse dhe ato që kanë qëndrim të luhatshëm ndaj Kosovës.
Po ashtu sipas tij është e rëndësishme që Kosova të dijë si ta portretizojë Serbinë në arenën ndërkombëtare e sidomos para SHBA-së dhe BE-se, dhe t’i shpërfaq sa më shumë qëllimet obstruksioniste të palës serbe.
Më 4 shtator 2020, kryeministri i atëhershëm Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan të ashtuquajturën marrëveshje për normalizim ekonomik, por që përfshinte edhe çështje politike. Ajo që gjerësisht njihet si Marrëveshja e Washingtonit u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, D