Agjencia e Bashkimit Evropian për shëndetin publik, ka paralajmëruar se sezoni i gripit që po vjen në Evropë mund të jetë i ashpër për të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët.
Sipas kësaj agjencie, gripi mund t’ua rëndojë barrën sistemeve shëndetësore, tashmë të ngarkuara nga pandemia e koronavirusit.
Nënlloji kryesor i raportuar i virusit të gripit në Bashkimin Evropian dhe në Zonën Ekonomike Evropiane i prek në mënyrë të pabarabartë të moshuarit dhe lidhet me efikasitet më të ulët të vaksinës, tha Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve.
“Vërejtja e hershme e nënllojit A (H3N2) është tregues se sezoni i gripit që po vjen mund të jetë i ashpër, ndonëse nuk mund të dimë me siguri se si do të duket sezoni i gripit”, tha Pasi Penttinen, drejtor i programit për gripin në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, shkruan Reuters.
Ai u bëri thirrje punëtorëve shëndetësorë që të vaksinohen edhe kundër COVID-19, edhe kundër gripit, para dimrit dhe shtoi se distanca fizike e masat higjienike janë të rëndësishme për të gjithë e posaçërisht për ata që punojnë në shtëpitë e kujdesit dhe në mjedise ku ofrohet kujdes shëndetësor.
Rreth 20 për qind e popullsisë preket nga gripi çdo vit. Sipas agjencisë evropiane, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike janë më të rrezikuar.