Trajneri i futbollit Afrim Tovërlani është arrestuar mbrëmë pasi i njëjti dyshohet se me thikë e ka kanosur kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti në shtëpinë e tij.
Klan Kosova ka siguruar ekzkluzivisht nga burimet brenda policisë raportin lidhur me këtë incident.
“Më 25.10.2021 rreth orës 17:50 policia ka marrë informacionin se është raportuar një rast i kërcënimit në lagjen Nic në Çagllavicë, saktësisht në shtëpinë e kryetarit të komunës Shpend Ahmeti. Patrulla që shkoi në këtë lokacion i ka takuar katër burra, mes tyre edhe Afrim Tovërlanin”, thuhet në këtë raport.
Ishte vetë Afrim Tovërlani i cili e paraqiti rastin në polici.
Gjatë kontrollimit trajnerit Tovërlani i është gjetur një thikë e cila është konfiskuar, derisa i dyshuari ishte dërguar në stacionin policor në Graçanicë ku edhe i është bërë alkool-testi pas të cilit ka rezultuar se ka qenë në gjendje të dehur.
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti nuk është deklaruar akoma rreth këtij rasti.
Trajnerit Afrim Tovërlani i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe është transportuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.