Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, njoftoi të enjten se ka filluar puna në pesë lokacione brenda Kosovës për të gjetur varreza masive.
Por, siç tha ai, emrat e këtyre lokacioneve nuk janë bërë të ditur “për hir të mosshqetësimit të familjarëve të personave të pagjetur”.Këto deklarata i bëri gjatë takimit me deputetët e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës.
Ai bëri të ditur se si komision, por edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, janë duke punuar në ndryshimin e Ligjit për të pagjeturit.
“Kemi filluar të punojmë në disa lokacione brenda Kosovës. Për hir të mos shqetësimit të familjarëve ne nuk i kemi bërë publike se cilat janë lokacionet, janë pesë të tilla në Kosovë. Prioritet kryesore mbeten lokacionet në Serbi. 5 lokacionet qe i kemi gjetur deri më tani nuk janë të vetme”.
Tha se kanë kërkuar nga pala serbe gjatë bisedimeve në Bruksel, që Kosova te ketë qasje edhe në lokacione të tjera të Serbisë.
Ndërsa, shtoi se ndër sfidat kryesore me të cilat po përballen si komision është mungesa e informacionit të verifikuar.
“Jemi dëshmitarë që ka pasur informacione të rrejshme nga ana e Serbisë. Një nga sfidat qe e kemi adresuar edhe para dy jave në Bruksel është qasja në arkivat shtetërore të ushtrisë dhe policisë serbe. Arkivat e Serbisë ndihmojnë shumë në zbardhjen e fatit të te zhdukurve, por nuk janë rruga e vetme”, tha ai.
Sfidë tjetër, Hoti ka përmendur edhe mungesën e stafit, teksa ka kërkuar mbështetje nga ambasadat e huaja.
Gjithashtu bëri të ditur se gjatë këtij viti janë identifikuar 21 mbetje mortore, prej tyre 19 trupa shqiptarë dhe 2 serbë.