Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ish-deputeti nga radhët e PDK-së, Andin Hoti, ka folur për çështjen e të pagjeturve, trajtimin e kësaj teme në dialog me Serbinë, për hapjen e arkivave shtetërore serbe, lajmet e pavërteta në lidhje me fatin e babait të tij, Ukshin Hoti, si dhe për jetën e tij jashtë angazhimit politik.
Andin Hoti theksoi se politikisht vazhdon të jetë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, teksa u shpreh se pozita e tij e tanishme nuk e lejon moralisht të merret me politika ditore.
“E para, për mua të gjitha partitë janë shqiptare dhe ndjehem mirë të bashkëpunoj me secilën prej tyre. E dyta, kam thënë me fillim dhe vazhdoj me e potencu që unë nuk kam lëvizë prej asnjë partie politike, nuk kam aderu në asnjë parti tjetër”, tha ai.
Ai tha se shpreson që është sqaruar kjo çështje edhe prej disa anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Nuk mendoj se shumica e kanë këtë mendim, por disa individë të caktuar, për arsye që unë nuk i di, kanë dhënë deklaratat e tyre. Besoj që e kanë të qartë tashmë. Unë politikisht vazhdojë me qëndru aty ku kam qenë. Pozita që e kam tash nuk ma lejon moralisht me u marrë me çështje politike ditore. Unë merrem me fatin e personave të zhdukur, edhe e kam potencuar që e trajtoj dhe dua ta trajtojë këtë çështje humane”, tha ai.
Hoti, po ashtu tha se e vlerëson faktin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka përmendur mundësinë që ai të kalojë nga PDK-ja në Lëvizjen Vetëvendosje.