Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se kishte dashur që sot bashkë me ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Mixhozin dhe me gjithë të tjerët të bënte përgatitjet për festën e madhe të 28 Nëntorit – festën e Flamurit kombëtar.
Sipas tij, sot festën, gëzimin dhe patriotizmin duhet ta tregojmë ndryshe, njofton Klan Kosova.
Zemaj ka thënë se patriot është ai i cili rreshtohet krah institucioneve, rreshtohet në krahë të mantel bardhëve, të Policisë dhe të gjithë të tjerëve, për të vetmin qëllim, ruajtjen e shëndetit të njëri-tjetrit.
“Secili tashmë e di se fitorja e kësaj lufte është në duart e secilit nga ne, duke ruajtur veten, familjarët dhe rrethin ku jetojmë”.
“Për nëntë muaj, pandemia na ka dhënë shumë mësime, por mësimi më i mirë që mund të nxjerrim është që secili duhet të bëhet pjesë aktive e kësaj lufte kundër virusit”.
“Është në dorën tonë të bartim maskën, të ruajmë distancën dhe mbajmë higjienën”.
“Andaj, duke ju uruar Festën e 28 Nëntorit, ju bëj thirrje që të festoni në shtëpi, e dimë që nuk është mënyra më e mirë e të festuarit, por është e domosdoshme”.