Me uljen e temperaturave, gastronomët po kërkojnë që t’u lejohet të veprojnë në hapësira të mbyllura. Thonë se janë të gatshëm për zbatimin e masës që klientëve t’u kërkohet dëshmi e vaksinimit apo test negativ para se t’u ofrojnë shërbime. Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë të ditur se si do të veprojë pas 26 shtatorit, deri kur janë në fuqi masat aktuale.
Trotuaret në kryeqytet janë mbushur me tavolina e karrige. Këto hapësira po shfrytëzohen nga gastronomët pas ndalimit të shërbimeve në hapësira të mbyllura. Por, me ndryshimin e motit, ata po kërkojnë lejimin e funksionimit me kapacitete të plota.
Qeveria nuk ka treguar nëse do të ketë lehtësim të masave pas 26 shtatorit, deri kur janë në fuqi masat aktuale.
Gastronomët thonë se kanë kërkuar edhe më herët që të lejohet shfrytëzimi i kapaciteteve për klientët që posedojnë pasaportën e vaksinimit ose testi negativ për COVID-19.
Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve, thotë se që në fillim kishin kërkuar që t’u lejohet funksionimi me kapacitete të plota dhe në anën tjetër, ata të kërkojnë nga klientët që të jenë të pajisur me dëshmi për vaksinim ose test negativ.
“Nuk është bërë asnjë lloj modaliteti në këtë vendim që i bie se është njëfarë mbyllje, pasi që me uljen e temperaturave, po e shohim që shumë biznese e kanë të vështirë të operojnë në bazë të këtyre udhëzuesve”, ka theksuar Vranica.
Ai thotë se ka pasur hezitim nga institucionet për zbatimin e masave të tilla ku kërkohet vaksinimi, e shkak sipas tij, mund të jetë edhe administrimi i një numri të vogël të vaksinave.
Por, edhe me rritjen e numrit të atyre që janë vaksinuar, sipas tij, kjo masë do të jetë më lehtë e zbatueshme.
Vendimet e Qeverisë sipas tij, janë edhe konfuze.
“Kemi kërkuar që ky vendim duhet të ndryshohet, të mos kemi vendim kaq konfuz që menjëherë e gjithë kjo i faturohet sektorit tonë, sepse ne jemi sektori i dytë më i madh për nga numri i të punësuarve”, ka theksuar ai.
Me rritjen e numrit të të infektuarve te moshat e reja, Qeveria më 12 shtator mori vendim edhe për mbylljen e çerdheve.
Edhe pse kishte përmendur si mundësi që të lejohet funksionimi i tyre dhe që prindërve t’u kërkohet pasaporta e vaksinimit ose testi negativ, nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS se si do të veprohet pas 26 shtatorit.
Me masat e Qeverisë, stafit në institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit u kërkohet që të kenë dëshmi të vaksinës ose test negativ për të hyrë në objekt.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se mësimdhënësit janë të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, dhe se së bashku me Ministrinë e Arsimit kanë bërë përgatitjet e duhura.
Sipas Jasharajt, mësimdhënësit dhe stafi teknik i shkollave janë vaksinuar dhe janë të kënaqur për faktin që të gjithë punëtorët e arsimit i janë përgjigjur kërkesës për vaksinim.
Ministria e Arsimit ka shtyrë dy herë fillimin e vitit shkollor që nga 1 shtatori kur parashihej që të fillonte. Kjo ishte bërë pas konsultimeve me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, pasi që situata me Covid-19 ishte rënduar në fillim të këtij muaji.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit deri në fillim të shtatorit janë vaksinuar mbi 26 mijë punonjës arsimorë, ndërsa rreth 7 mijë janë ende të pavaksinuar.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1160 tiketa në bazë të Ligjit antiCovid-19.
Shqiptimi i gjobave për masat antiCovid nga ana e Policisë së Kosovës, po konsiderohen të jashtëligjshme.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, konsideron se në asnjë vend të botës, qytetarët nuk gjobiten për këtë. Ai thotë se këtë duhet ta bëjnë zyrtarët e Inspektoratit Shëndetësor, e assesi zyrtarët policorë.
“Çështja tjetër, është e papranueshme që Policia t’i shqiptojë këto gjoba, askund në botë nuk ka që Policia t’i shqiptojë gjobat e një shërbimi tjetër. Policia e kryen punën e asistentit, do të thotë u asiston zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor. Policia po e krijon një imazh të keq për veten, por njëkohësisht edhe për vetë punën që e bën”, ka thënë Ibishi për EO.
Teksa ka folur për këtë çështje, Ibishi ftoi qytetarët që t’i respektojnë masat antiCovid.
“Mendoj se Ligji si i tillë duhet të zbatohet, ai është miratuar nga Kuvendi dhe duhet të zbatohet. Mendoj se më shumë duhet të merremi me vetëdijesim, e më pak me gjoba”, shtoi ai.
E qytetarët po i konsiderojnë të larta gjobat antiCovid. Ahmet Bala nga Prishtina thotë se gjoba duhet të ketë, por jo kaq të mëdha.
“Gjobat janë, por janë pak të mëdha, njerëzit të papunë janë. Duhet të ketë dënime, por jo kaq të mëdha. Më tregoi dikush se e kanë dënuar me 200 euro”, tregon Bala, teksa thotë se ai nuk është dënuar asnjëherë.
Arsim Nuhiu nuk është gjobitur asnjëherë deri më tash dhe thotë se po i respekton masat me aq mundësi sa ka.
“Masat duhet të zbatohen nga secili. Nuk jam gjobitur asnjëherë dhe sa po mundem po i respektoj”, u shpreh ai.