Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, i njohur me nofkën “Kamishi”, ka kritikuar Qeverinë Hoti për vendosjen e orës policore si masë mbrojtëse ndaj virusit Covid-19.
Ndërkaq, deputeti i LDK’së, mjeku Ekrem Hyseni thotë se masat janë në rregull dhe nuk duhet të ashpërohen më shumë. Kamishi nga ana tjetër thotë se duhet mobilizim i ushtrisë.
Ai ka thënë se për të bërë kontrolle më rigoroze në respektimin e masave mbrojtëse duhet të angazhohet edhe ushtria e Kosovës, kjo sipas tij do të ishte masë më e mirë se vendosja e orës policore.
“Do të duhej që të ketë një kontroll më rigoroz. Duhet të angazhohet policia, inspektorati dhe ushtria. Kjo është më mirë se sa të vendosen kufizime me orare. Unë nuk jam idhëtar i kufizimeve me orë, si ora policor. Jam idhëtar i respektimit të masave, por jo me orë policore sepse nuk përhape virusi me orë”, ka thënë ai.
Haxhiu ka thënë se problemi kryesorë në përballjen me pandeminë është ai menaxherial.
Sipas tij, ora policore mund të ndikojë negativisht në menaxhimin e gjendjes me pandeminë.
“Kjo mund të ndikojë negativisht sepse shumica e njerëzve mundohen që punët t’i kryejnë gjatë kësaj ore, dhe kjo vetëm sa po e rritë fluksin në kafiteri gjatë ditës. Kjo konsideroj se nuk ka ndonjë efekt në aspektin e menaxhimit të situatës”, ka thënë ai.
Ndërsa, gjatë ditës së nesërme, Ministria e Shëndetësisë, do të vendos nëse do të ashpërsoj edhe më shumë masat mbrojtëse ndaj virusit Covid-19.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë sot se do të dakordohen me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, nëse edhe ndonjë komunë tjetër do t’i shtohet zonës së kuqe.
Sipas tij, nëse gjendja me pandeminë vazhdon të jetë e njëjtë, nuk do të ketë nevojë për masa tjera shtesë, por do të vazhdojnë të zbatohen masat e njëjta.
Zbatimin e masave të njëjta, po e kërkojnë edhe bashkëpartiak të tij.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe mjek në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, Ekrem Hyseni, ka thënë për Gazetën Express që duhet të respektohen masat aktuale mbrojtëse ndaj këtij virusi, megjithatë sipas tij, nuk duhet të ketë masa tjera shtesë.
“Masat kanë qenë të domosdoshme, gjithmonë pro masave kundër mbylljes. Këto masa duhet të jenë në konform të gjendjes epidimologjike dhe të vazhdohen. Masat duhet të respektohen patjetër. Është e rëndësishme të bëhet monitorimi i respektimit të masave në teren”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se në dy javët e fundit, qytetarët kanë respektuar më shumë masat e vendosur, andaj edhe sipas tij, numri i rasteve të reja me virusin Covid-19 nuk është duke u rritur.
Përndryshe, Hyseni ka thënë se punëtorët shëndetësorë janë duke u përballur me një fluks të madh të pacientëve gjatë kësaj kohe.
Sipas tij, për shkak të situatës me pandeminë, janë ndërprerë disa shërbime shëndetësorë në vend. Por që, në dy javët në vijim do të jenë të rëndësishme për marrjen e një vendimi për këto shërbime.
“Punëtorët shëndetësorë po përballen me një fluks të madh të pacientëve dhe jo vetëm Covid, shumë prej pacientëve që janë me sëmundje tjera e kanë problem qasjen në institucione, dhe problem kryesor është infektimi. Ka institucione tjera shëndetësore siç është kirurgjia që rastet elektive i kanë reduktuar, por unë mendoj që në dy javët e ardhshme do të jenë të rëndësishme për ta parë numrin e rasteve të reja, dhe në bazë të kësaj të ndryshohet kjo qasje”, ka shtuar ai.