Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se i duhet edhe një mandat katërvjeçar për ta rregulluar gjendjen e Prizrenit për 50 vjetët e ardhshëm, si në aspektin infrastrukturor ashtu edhe të funksionimit të qytetit.
“Mendoj se Prizrenit i duhet edhe një 4-vjeçar që për 50 vjetët e ardhshme të rregullohet gjendja si në aspektin e infrastrukturës, por edhe në aspektin e funksionimit”, ka thënë Haskuka në Interaktiv të KTV-së.
Ai ka folur për premtimin e tij për ndërtimin e çerdheve në Prizren.
“Kam thënë se 4 çerdhe të mëdha publike do të ndërtohen, Prizreni nuk kishte asnjë. Dy janë ndërtuar, një është funksionalizuar, ndërsa dy janë para përfundimit, një pritet të përfundohet në shtator e tjetra sigurisht përfundohet deri në fund të vitit. Janë ndër çerdhet më të mëdha në Kosovë. Në Bajram Curr është rreth 2000 metra katror, çerdhja e funksionalizuar në lagjen 11 marsi është diku rreth 1800 metra me dhjetë paralele. Në dy vjetët e fundit kemi kërkuar kode buxhetore për punëtorët që do të punojnë në këto çerdhe. Nuk na janë ofruar. Jemi bisedime me Ministrinë e Financave që nga viti i ardhshëm t’i kemi këto kode buxhetore”, ka thënë Haskuka.
Ai ka treguar se nëse janë në procesin e projektimit edhe të dy çerdheve tjera, një në fshatin Korishë e një në Zhur. Ndërsa nëse merr drejtimin e Prizrenit edhe një mandat ka thënë se planifikon të ndërtojë edhe pesë çerdhe, varësisht nga rritja e popullatës.