Qeveria iu ka bërë thirrje qytetarëve të mblidhen në sheshin kryesor në Prishtinë për ta pritur ekipin olimpik të xhudos, pas triumfit të tij historik në Lojërat Olimpike Tokio 2020 këtë muaj.
Xhudistët pritet të kthehen nga Japonia në Kosovë sonte rreth orës 20:00, pasi i fituan dy medalje të arta olimpike në Tokio 2020.
Ata do të priten me një ceremoni shtetërore në Aeroprotin “Adem Jashari” dhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet do të organizohet një festë në orën 20:30, në të cilën qeveria bën thirrje që të merret pjesë.
Në një thirrje publike në rrjetin social Facebook, qeveria shkroi: “Pas triumfit historik në Tokio, vajzat e arta sonte kthehen në Kosovë. Ju ftojmë në festën e madhe të fitores, në ora 20:30, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.”
Kosova i fitoi dy medalje të arta në Tokio, duke e çuar në tri numrin e përgjithshëm të medaljeve në historinë e vet në Lojëra Olimpike, pas të medaljes së parë olimpike, të artë po ashtu, të Majlinda Kelmendit në debutimin e Kosovës në Olimpiadë në Rio 2016.
Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë në fund javë, e cila ishte e para për Kosovën në Tokio dhe e para për të në karrierë. Nora Gjakova e përsëriti suksesin e saj duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 57 kilogramë.
Vendit tonë i ka mbetur vetëm edhe një garues në Tokio 2020, mundësi Egzon Shala.
Shala do të përballet me mundësin bjellorus Dzianis Khramiankou në rrethin e parë në peshën e rëndë, 125 kilogramë, të enjten më 5 gusht. Kosova i dërgoi 11 atletë në Lojërat Olimpike në Tokio, prej të cilëve gjashtë ishin me normë olimpike. Duke e parë numrin e atletëve pjesëmarrës, rezultati i Kosovës vlerësohet të jetë fantastik.