Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, realizoi sot vizitë një-ditore zyrtare në Zagreb të Kroacisë, ku bashkë me Zëvendës-Kryeministrin e Parë, Besnik Tahiri u pritën nga Kryeministri z.Andrej Plenković dhe nga Ministri i Jashtëm, z. Goran Grlić Radman.
Lidhja e fortë historike ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë daton prej kohërave të vështira të viteve 90-ta, kur populli i Kroacisë sikurse ai i Kosovës udhëhoqën kauza të çlirimit dhe lirisë kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit.
“Kroacia e njeh më së miri dhimbjen e së kaluarës sonë të përbashkët, dhe vështirësitë e rrugëtimit Euro-Atlantik me të cilat po përballet edhe Kosova viteve të fundit.” – u shpreh Ministrja Haradinaj-Stublla, duke përcjellë, po ashtu, mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj për mbështetjen e pandërprerë e të përhershme të Kroacisë që Kosova ka gëzuar për të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar.
Në takimin e tyre të veçantë që kishin kryediplomatët e Kosovës dhe Kroacisë, u pajtuan të finalizojnë në afat sa më të shkurtër kohor Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik, për fuqizim të bashkëpunimit dypalësh në politikën e jashtme, të sigurisë, ekonomisë, dhe bashkëpunimit rajonal.
Në dy takimet, u shkëmbyen pikëpamje edhe rreth dialogut me Serbinë, dhe pritjet nga roli i BE-së dhe SHBA-ve në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Ministrja Haradinaj-Stublla kërkoi nga Kroacia si shtet anëtar i BE-së, dhe si njohësja më e saktë e dinamikave rajonale, që t’i ndihmojë BE-së në definimin e saktë të tri elementeve themelore të dialogut:Vendosja e parimeve të respektimit të integritetit territorial, rendit kushtetues, dhe karakterit unitar;Përcaktimi i kornizës kohore për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë; dhe Definimi i objektivit final të procesit të dialogut, e që për Kosovën synimi është asgjë më pak se njohje reciproke.Nga ana e tij, Ministri Grlić Radman vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht miqësore midis Kroacisë dhe Kosovës, dhe shprehu angazhimin e tij për forcimin e raporteve midis dy shteteve.
“Duke pasur parasysh orientimin e Kosovës drejt qëllimit Euro-Atlantik, shpresoj që BE do të merr së shpejti vendim edhe për liberalizimin e vizave me Kosovën, i cili do të vlerësonte reformat që vendi ka zbatuar deri më tani dhe do ta inkurajonte atë të vazhdojë në të njëjtën rrugë”, tha Grlić Radman, duke shtuar se Kroacia do të mbështesë fuqimisht edhe orientimin Euro-Atlantik të Kosovës si dhe pjesëmarrjen e vendit në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Ministrja Haradinaj-Stublla dhe homologu i saj kroat, Goran Grlić Radman, u zotuan për të adresuar çështjen e komuniteteve respektive, atij kroat në Kosovë dhe komunitetit shqiptar në Kroaci. Ata, gjithashtu, u zotuan për avancimin e pozitës së tyre në të dyja shtetet.
Në fund, Kryediplomatja kosovare nuk harroi të përkujtojë edhe viktimat kroate nga luftërat tragjike në ish-Jugosllavi, dhe plagën e personave ende të pagjetur që rëndon ashtu si Kosovën, edhe popullin kroat, e duke përcjellë gjithashtu edhe ndjenjat e popullit të Kosovës, sa herë që përkujtohen data të rëndësishme dhimbjeje, siç ishte përvjetori i para disa ditëve i Masakrës së Vukovarit.