Kësaj nisme sot iu ndryshua edhe emri, ndërsa Zaev u bëri thirrje liderëve ballkanikë që ta krijojnë një vizion të përbashkët për zhvillimin e këtij rajoni.
“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, tha Zaev.
“Emri i ri pasqyron realitetin e ri i cili pasqyrohet nga të gjithë ne”, tha ai paraprakisht.
Kryeministri maqedonas tha se të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i japin impuls të ri hapësirës së tregut të lirë ekonomik.
“Me harmonizimin e politikave të investimeve do të krijojmë një potencial të zhvillimit në rajon”, tha ai.
Ai tha se përveç tjerash, ky bashkëpunim rajonal mund të kontribuojë edhe në relaksimin e marrëdhënieve në rajon.
Kosova ishte zotuar në marrëveshjen e Washingtonit për t’iu bashkuar iniciativës së “mini-Schengenit”, por Albin Kurti, kryeministri aktual i Kosovës, që nga fillimi e ka pozicionuar veten si kritik i mprehtë i këtij projekti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është në të njëjtën linjë.
Në Samitin e fundit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kurti madje deklaroi se “mini-Schengeni” nuk ekziston më.
“Nuk ka më mini-Schengen, ka treg të përbashkët rajonal dhe këtë e ka marrë Procesi i Berlinit, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut”, ishte shprehur Kurti.