Përkundër që vendi tashmë ka vaksina të bollshme interesimi i qytetarëve nuk është edhe aq i madh për t’u imunizuar ndaj COVID-19.
Megjithatë, vaksinimi mbetet e vetmja armë për ta luftuar ndonjë valë të re të mundshme të variantit Delta ose në të kundërtën edhe mund të mbyllemi. Të paktën kështu vlerëson kreu i Klinikës Infektive Arben Vishaj i cili thotë se nëse do të ketë rritje të rasteve dhe të atyre që kërkojnë hospitalizim është opsionale edhe mbyllja e vendit.
Për infektologun Vishaj e vetmja zgjidhje është vaksinimi duke thënë që efektet anësore të vaksinave janë minimale në raport me të mirat që i sjellin ato.
Ai tha se edhe menaxhimi i rasteve klinike do të ishte më i lehtë nëse infektohen personat e vaksinuar.
Kujtojmë që edhe profesionistë të tjerë shëndetësorë po bëjnë thirrje të vazhdueshme për imunizim duke theksuar se vaksinat janë të sigurta dhe të besueshme.
Madje për infektologun Ilir Tolaj nuk duhet të ketë as dilema sa i përket llojit të vaksinave.
Aktualisht deri më tani janë administruar 343.333 doza të vaksinave.