Administrata e Ministrisë së Mbrojtjes në vitin e kaluar ka ngrënë bukë në kuzhinat që hanë ushtria. Kjo është vërtetuar se ka qenë në kundërshtim me ligjin.Shfrytëzimi i kuzhinës së ushtrisë nga administrata. Kjo ka qenë njëra nga të gjeturat e Auditorit Gjeneral në raportin e publikuar për Ministrinë e Mbrojtës për pasqyrat financiare të vitit 2020.
Sipas Auditorit, neni 16 paragrafi 1 i Ligjit nr. 06/l-124 për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton se: “Pjesëtari aktiv i FSK-së ka të drejtë për së paku një racion të ushqimit, gjatë secilit orar të plotë të punës (e përcaktuar si çdo periudhë e qëndrimit të vazhdueshëm në detyrë për më shumë se gjashtë orë në çdo dymbëdhjetë (12) orë”.
Te kontrata e lidhur për Shërbimet e ushqimit (furnizim, përgatitja dhe servimi) nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së, ku vlera e shpenzimeve për vitin 2020 ka qenë 2,218,317 euro, auditori ka vërejtur se përveç pjesëtarëve aktiv të FSK-së të cilët kanë të drejtë ta shfrytëzojnë një racion të ushqimit, në kuzhina janë ushqyer me nga një racion edhe stafi civil të cilit sipas ligjit nuk i takon të ushqehet në kuzhinë.Çmimi i një racioni është 4.75 euro dreka, ndërsa racionet për mëngjes 1.26 euro dhe darka 2.78 euro.
“Nga MM nuk kemi pranuar ndonjë arsye pse stafi civil e shfrytëzon të drejtën e ushqyerjes në kuzhina dhe pse janë paguar këto shpenzime. Shfrytëzimi i kuzhinës së FSK-së nga stafi civil ndikon në rritjen e numrit të racioneve të ushqimit dhe kryerjen e pagesave të parregullta nga ministria”, thuhet në raportin e auditorit për MM-në.
Auditori i ka rekomanduar ministrit të ndërmarrë masa të menjëhershme për të siguruar se shërbimet e kuzhinës (racioni i ushqimit) do të shfrytëzohen vetëm nga pjesëtarët aktiv të FSK-së ashtu siç e parasheh Ligji e jo edhe nga stafi civil.MM nuk kishte hartuar ndonjë procedurë për monitorimin e kuzhinës.Neni 16 paragrafi 4 i Ligjit nr. 06/l-124 për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton se. “Rregullat për ushqimin, transportin dhe akomodimin, përcaktohen me akt të veçantë nënligjor të nxjerrë nga Ministri”.“Ministria nuk kishte hartuar ndonjë akt të veçantë nënligjor që ka të bëjë me monitorimin e stafit që ushqehen në kuzhina.
Ne kemi vërejtur se menaxheri i kontratës i pranon kërkesat nga njësitë kërkuese për numrin e personave që do të ushqehen nëpër kuzhina dhe në bazë të numrit të pranuar, i bënë kërkesë kuzhinave për racionet që duhet të përgatiten. Ministria nuk ka ndonjë mekanizëm monitorues për të verifikuar numrin e personave që ushqehen nëpër kuzhinat e FSK-së, respektivisht nuk bën ndonjë kontrollë/verifikim nëse po ushqehen të gjithë personat sipas porosive që bëhen nga menaxheri i kontratës. Operatori ekonomik faturimine bënë sipas porosisë për numrin e personave të pranuar nga menaxheri i kontratës”, thuhet në raport.Sipas auditorit, kjo ka ndodhë si rezultat i mos funksionimit të duhur të kontrolleve të brendshme në ministri për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e kuzhinave dhe se mungesa e një monitorimi për të verifikuar numrin e personave që ushqehen nëpër kuzhina mund të ndikoj që ministria të bëjë pagesa përtej nevojave reale të stafit.