Policia ka arrestuar sot një person në rajonin e Gjakovës, për shkak se në oborrin e të njëjtit ka gjetur 148 bimë, që dyshohet të jenë Kanabis Sativa.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës, thuhet se “më 16.07.2021, Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve – njësia rajonale në Gjakovë pas marrjes së informatave paraprake relevante se në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit, A.D. (1970), dyshohet se ka të kultivuara disa bimë që dyshohet të jenë Kanabis Sativa dhe bashkërendimit me autoritetet e drejtësisë, kanë realizuar një operacion bastisje me përkrahjen edhe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Gjakovë”.
“Gjatë realizimit të operacionit policor të bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë konfiskuar si provë materiale 148 bimë të dyshuara si bimë e llojit Kanabis Sativa me gjatësi prej 30 cm deri 1 metër”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit”, të merren disa mostra nga bimët dhe ato të shkatërrohen.
“Bimët e dyshuara pas marrjes se disa mostrave nga ana e njësisë së krim teknikës janë shkatërruar me anë të djegies. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt gjyqësore”.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit është konfiskuar një armë revole me Gaz (CO2), përderisa rasti mbetet nën hetime nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve- Njësia Rajonale Gjakovë.