Taksa prej pesë eurosh për regjistrimin e veturave e vendosur përmes një marrëveshjeje, ka nxitur reagime ditëve të fundit në Kosovë. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ftoi qytetarët të protestojnë kundër kësaj takse, por e njëjta marrëveshje kishte nisur qysh në kohën kur Qeverinë e drejtonte ai e ministër i Infrastrukturës ishte Pal Lekaj nga partia e tij, sipas pushtetit aktual.
Marrëveshjen për “tiketa ngjitëse” nga ministria tash, thonë se u detyruan ta nënshkruajnë më 8 qershor sepse në të kundërtën shteti do të pësonte dëme financiare. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka sqaruar përmes një shkrimi në Facebook se marrëveshja si proces ka filluar në vitin 2018 dhe se për të patën aplikuar disa kompani, nga e cila një ishte zgjedhur fituese.
Sipas Durmishit, kur Vetëvendosje mori qeverisjen, marrëveshja qe e gatshme e vetëm duhej nënshkrimi.
“Kur ne kemi ardhur në Qeveri e kemi gjetur marrëveshjen të gatshme vetëm duhej të nënshkruhej. Tre muaj nuk e kam nënshkruar këtë marrëveshje derisa jam siguruar se është gjithçka në përputhje me ligjin dhe procedurat dhe se është interes i Kosovës. Kam autorizuar auditim të komplet procesit dhe kam marr opinionet nga zyra ligjore e Kryeministrit dhe zyra ligjore e ministrisë. Të gjitha rekomandimet kanë qenë që duhet nënshkruar marrëveshja sepse në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet sepse kompania e fiton rastin në gjykata. Unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje me 8 qershor 2021”, ka shkruar ai.
Por, Haradinaj një ditë më parë i doli kundër kësaj marrëveshje. Sipas tij, pa asnjë arsye po iu merren qytetarëve nga 5 euro për secilin automjet, teksa thirri: “Protestoni për të drejtat tuaja”.
“Qeveria e Kosovës ka vendos një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro, në secilën herë që i regjistroni automjetet tuaja. Me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, duke zbraz xhepat e qytetarëve me afro 2 milion euro në vit, të cilat nuk i shkojnë buxhetit të shtetit”, shkroi Haradinaj.
E, pavarësisht se kush e nisi marrëveshjen, Durmishi ka renditur përfitimet nga ajo. Ai ka theksuar se ky ka qenë “hap i domosdoshëm” për t’u ndërmarrë.
“Tiketa ngjitëse ndikon në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion prandaj do të mundësoj që shumë shpejtë të arrijmë në pragun nën 5% të automjeteve të paregjistruara. Me këtë ne kemi përfitim si qytetarë sepse në njërën anë hiqet taksa prej 30 euro e në anën tjetër plotësojmë kriterin kryesor të aplikimit për kartonin e gjelbër me të cilin përfitimet janë të shumta. Përfitim tjetër natyrisht që është edhe siguria rrugore sepse nuk do të kemi automjete pa kontrolle teknike e regjistrim në komunikacion e rrjedhimisht më pak aksidente”, ka shkruar Durmishi.