Deputeti PDK-së Bekim Haxhiu ka akuzuar Minstrinë e Shëndetësisë, se po manipulon me shifrat e të vaksinuarve në Kosovë.
Ai në një status në Facebook, ka thënë se të dhënat e Ministria e Shëndetësisë̈ të publikuara në baza ditore, kanë mospërputhje të numrit të vaksinuarve në 24 orë, me numrin e raportuar të vaksinuarëve me dozën e parë dhe të dytë.
“Bazuar në të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë deri me datë 31.05.2021, kanë qenë të vaksinuar 64.776 qytetarë, ndërsa numrin e vaksinimeve ditore të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë̈ nga data 01.06.2021, deri me datë 13.07.2021, janë gjithsejtë 192.358 vaksinime, plus 64.776 të kryera deri me datë 31.05.2021. Rezulton se deri me datë 13.07.2021, janë kryer në total 257.134 vaksinime. Ndërsa, sipas te dhënave të publikuara nga MSH janë 270.641 me dozën e parë dhe 72.476 vaksinime me dozën e dytë , apo gjithsejtë 343.117 vaksinime të pretenduara nga MSH, të cilat nuk përputhen me numrin e vaksinimeve ditore të raportuara” ka shkruar Haxhiu.
Krahasuar me numrin vaksinimeve ditore të raportuara, sipas Haxhiut është një mospërputhje prej 85.983 vaksinime, të shtuara nga MSH në publikimet e saj.
“Këto të dhëna po ua ilustroj edhe me një rast të mospërputhjes ditore të të dhënave. Me datë 12.07.2021, janë raportuar 260.955 qytetarë të vaksinuar me dozën e parë dhe 67.578 me dozën e dytë, brenda 24 orëve janë kryer 6.503 vaksinime, ndërsa në të dhënat e publikuara të datës 13.07.2021, prezantohen se janë 270.641 qytetarë të vaksinuar me dozën e parë dhe 72.476 me dozën e dytë. Pra në mënyrë fiktive, manipulative nga MSH është rritur numri i të vaksinuarve për 8.081 vaksinime për 24 orë. Pse Ministria e Shëndetësisë po manipulon me numrin e vaksinimeve? Shëndeti i qytetarëve mbrohet me vaksinime reale dhe jo me manipulime dhe mashtrime” ka shkruar mes tjerash Haxhiu.